MENU
klinika

Vuçiç sfidon Uashingtonin

“Të sanksionuarit nga Shtetet e Bashkuara janë të mirëpritur në Serbi”

05.08.2023 - 17:30

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç deklaroi se Beogradi do të injorojë sanksionet, që Shtetet e Bashkuara i vunë zyrtarëve të lartë serbë të Bosnjës për dëmtimin e marrëveshjes së paqes të vitit 1995, e cila i dha fund një lufte që la pas më shumë se 100 mijë të vrarë dhe miliona të pastrehë.

Ai tha se zyrtarët serbë etnikë të Bosnjës nën sanksionet amerikane se do të jenë ende të mirëpritur në Serbi.

Për ne, ato sanksione nuk ekzistojnë dhe ne nuk do të pajtohemi në asnjë mënyrë me ata që vendosën ato sanksione kundër pjesëtarëve të kombit tonë. Për ne, ky është i vetmi vendim i mundshëm, i ndershëm por i vështirë.

Në mesin e katër zyrtarëve serbë të Bosnjës të sanksionuar nga Departamenti Amerikan i Thesarit janë Zhelka Cvijanoviç, anëtare serbe e presidencës trepalëshe, si dhe kryeministri i entitetit serb në Bosnje, Radovan Vishkoviç. Ndërkohë udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, është sanksionuar më parë nga Shtetet e Bashkuara.

Zyrtarët thuhet se kanë marrë pjesë në hartimin e një ligji për të cilin Uashingtoni thotë se dëmton unitetin e Bosnjës Hercegovinës. Lufta e Bosnjës që filloi në vitin 1992, përfundoi me marrëveshjen e Dejtonit të iniciuar nga Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë personi i fundit i sanksionuar nga Uashingtoni është drejtuesi pro-rus i agjencisë së sigurisë së Serbisë, Aleksandar Vulin, pas akuzave për përfshirje në tregti të paligjshme të armëve, trafik droge dhe keqpërdorim të detyrës.