Emiliano Vila nuk është më futbollist i Teutës. Kapiteni lë “anijen” në ujëra të qeta dhe pas katër sezonesh dhe po kaq titujve të fituar largohet nga ekipi. 35-vjeçari ka një karrierë të gjatë në Superligë, ndërsa duket se është në kërkim të një klubi të ri.
Me durrsakët dhe shiritin e kapitenit në krah, Vila fitoi një titull kampion në sezonin 2020-21, një Kupë të Shqipërisë dhe dy Superkupa. Për herë të parë ai veshi fanellën e Teutës në vitin 2006 dhe pas 17 vitesh si profesionist ka luajtur edhe me Dinamon e Lokomotivën e Zagrebit, Pas Gianina, Partizani, Kërkyra, Inter Baku, Skënderbeu dhe sërish në fund me Teutën.
“KF Teuta komunikon përfundimin e bashkëpunimit me mesfushorin Emiliano Vila, i cili nga sot nuk është më pjesë e Teutës. KF Teuta falenderon Emiliano Vilen, për gjithë kontributin e dhënë përgjatë sezonit që sapo u mbyll me fanelën blu. Vila meriton një vend në histori për gjithçka ka dhënë dhe sidomos për titullin e fituar pas 27 vitesh. KF Teuta i uron suksese në vazhdim”, njoftojnë “Djemtë e Detit”.