Hungaria me në krye autoritarin Viktor Orban ka marrë “goditjen” e radhës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Së fundmi, Uashingtoni ka vendosur kufizime për mbajtësit e pasaportave hungareze në kuadër të programit të heqjes së vizave të martën, duke përmendur dështimin e Budapestit për të trajtuar shkeljet e sigurisë në lidhje me dhënien e shtetësisë për hungarezët në vendet fqinje.
Ambasada e SHBA-së në Budapest njoftoi se periudha e vlefshmërisë së vizave që u ofrohet hungarezëve sipas Sistemit Elektronik të Autorizimit të Udhëtimit (ESTA) do të reduktohet menjëherë nga dy në një vit dhe se do të lejohen vetëm vizitat e vetme, jo vizitat e shumëfishta sipas sistemit.
Nga viti 2011 në 2020, autoritetet hungareze u dhanë shtetësi rreth një milion hungarezëve etnikë në vendet fqinje “pa masa adekuate sigurie për të verifikuar identitetin e tyre”, tha ambasada amerikane.
Dhënia e shtetësisë ishte një lëvizje politike nga Orban që rezultoi fitues në zgjedhjet e ardhshme, sipas Reuters.
Po ashtu marrëdhëniet mes dy vendeve janë përkeqësuar nga shtyrja e votimit për ratifikimin e anëtarësimit të Suedisë në NATO në parlamentin hungarez dhe nga politika e qeverisë nacionaliste të kryeministrit Viktor Orban ndaj personave LGBTQ.
Kushtet më të ashpra për hyrjen në SHBA u prezantuan një ditë pasi partia qeverisëse e Orbanit Fidesz bojkotoi një seancë parlamentare të thirrur nga partitë opozitare për të votuar mbi ofertën e Suedisë në NATO.
Në fund, nuk u votua për kandidaturën suedeze.
Suedia aplikoi për anëtarësim vitin e kaluar pas pushtimit rus të Ukrainës, por kundërshtimet nga Turqia dhe Hungaria e vonuan ofertën e saj.