Trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola, u përfshi në një debat të nxehtë me Erling Haaland në fundin e pjesën së parë, pavarësisht se sulmuesi shënoi dy herë para pushimit në ndeshjen kundër Burnley.
Kampionët në fuqi të Premier League fituan 0-3 kundër Burnley-t të sapopromovuar në Premier League, me Haaland që shënoi dopietë dhe Rodri një gol.
Edhe pse ekipi i tij kishte dy gola avantazh në fundin e pjesës së parë, Guardiola nuk u përmbajt duke i dhënë një mesazh të fortë sulmuesit Haaland, rrugës për në dhomat e zhveshjes.
Guardiola shpjegoi pas ndeshjes se diskutimi u përqëndrua në dëshirën e Haaland për të luajtur me pasime pas tij, në vend që të mbante topin në këmbë, në pritje të daljes para të lojtarëve të tjerë.
“Ai e donte topin pas tij dhe ai top nuk duhej të ishte prapa. Ndonjëherë duhet të jesh i durueshëm për të gjetur momentin e duhur. Ai nuk ishte i nxehur, unë nuk jam i nxehur. Në futboll ndodh. Mos e bëni dramatike”, tha Pep pas ndeshjes.