MENU
klinika

Nga Përparim Kalo te Saimir Vishaj

Zbardhen emrat e 23 personave që konkurrojnë për anëtarë në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë

07.08.2023 - 10:43

Thirrjes së Kuvendit të Shqipërisë, i cili shpall vakancat për 6 anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të cilëve u përfundon mandati në Dhjetor 2023, i janë përgjigjur 23 persona. Pak ditë më parë përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit, janë shpallur dhe kanë nisur procedurat për plotësimin e 2 vendeve vakante nga radhët e avokatëve dhe një nga organizatat e shoqërisë civile në KLGJ, si dhe 2 vendeve vakante nga radhët e avokatëve dhe 1 nga organizatat e shoqërisë civile në KLP. Ndërkohë që gazeta “SOT” ka mësuar emrat e 23 personave që konkurrojnë për anëtarë në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Kështu në dokumentin e siguruar me emrat e garuesve, mes tyre bie në sy ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Përparim Kalo. Në garë janë Adrian Leka, Alban Alimema, Albens Tabaku, Artan Reci, Bledar Bajri, Daniel Ndrekaj, Donata Lepenica, Emiljano Hajrulla, Entela Memishaj, Erind Gërmenji, Eris Hysi, Erjon Fejzulla, Fatos Lazimi, Ilir Alushi, Julian Kola, Klodian Gjermeni, Margarita Kola, Mirela Murati, Përparim Kalo, Petrit Gaci, Saimir Kola, Saimir Vishaj, Sokol Dedndreaj. Përbërja e dy institucioneve që janë në drejtimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, do të rinovohet, ku janë nga gjashtë anëtarë që do bashkohen në KLGJ dhe KLP. Prej tyre 3 do të jenë anëtarë të shoqërisë civile dhe 3 anëtarë magjistratë, të cilët do të kenë një mandat 5-vjeçar. Ditën e shtunë më 5 gusht, ishte afati i fundit për dorëzimin e kandidaturave nga shoqëria civile pranë Kuvendit, ndërsa për anëtarët magjistratë afati fundor i aplikimit është 4 shtatori. Përgjegjës për gjithë procesin e konkurrimit dhe përzgjedhjes janë Gjykata e Lartë dhe Prokuroria e Përgjithshme. Ndërkohë kujtojmë se ky proces do të monitorohet rreptësisht edhe nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila ka gjatë dy javëve të fundit ka reaguar disa herë, teksa ka nxitur kandidatët të garojnë për vakancat e krijuara në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Frika e ambasadës dhe skandali me Akademinë e Shkencave

Pushtetarët e lartë të korruptuar, të cilat ka 30 vjet që sundojnë dhe vjedhin shqiptarët, janë bërë bashkë për të për sabotuar drejtësinë e re në mënyrë që të mbrojnë pasuritë e vjedhura. Politika po shfrytëzon rastin e fundit për të hedhur në erë reformën në drejtësi, atë të zgjedhjes së anëtarëve të KLGJ dhe KLP, procesin e së cilës po e monitoron rreptësisht Uashingtoni që brenda 10 ditëve të fundit ka dhënë alarmin se mund të ketë ndërhyrje nga politika.  Skandali në Akademinë e Shkencave, Shaban Murati njeriu që do zgjedhë anëtarët e KLGJ dhe KLP

Skandali i fundit ka plasur në Akademinë e Shkencave. Ishte institucioni i Avokatit të Popullit që njoftoi dy emra nga Akademia e Shkencave si anëtarë zëvendësues për komisionin e Pavarur Ad Hoc për verifikimin paraprak të kandidatëve për anëtarë të KLGJ dhe KLP. Sipas Avokatit të Popullit dy emrat e propozua nga Akademia e Shkencave janë Shaban Murati anëtar dhe Adrian Civici anëtarë zëvendësues. Kjo është kundërshtuar hapur nga akademiku, Artan Fuga, i cili me një shkresë të hapur i drejtohet Avokates së Popullit që të bëjë verifikimet, pasi sipas tij nga Asambleja e ASH nuk është shprehur vullnet për këto dy emra. “Me cilësinë e anëtari të Akademisë së Shkencave deklaroj publikisht se për sa më takon nuk i kam dhënë asnjë mandat përfaqësimi z. Shaban Murati për të qenë anëtar i këtij komisioni. Aq më pak zëvendësuesit”, shkruan profesor Fuga. Sipas tij, mandati i Shaban Muratit dhe i zëvendësuesit të tij janë pa vlerë, të paqenë, dhe jo legjitim.”