MENU
klinika

Nga Pallati i Kremlinit te aeroportet e Moskës

Zelensky po kërkon ta godasë Putinin aty ku i dhemb më shumë

16.08.2023 - 09:30

Nëse kundërofensiva ukrainase tani duket se po ngadalësohet në territoret e pushtuara, sulmet e Kievit në Rusi nuk priren të pakësohen, duke goditur gjithnjë e më shumë kryeqytetin. Ndoshta ky është skenari, me strategji dhe taktika të reja në terren mes dy palëve ndërluftuese në muajt e ardhshëm. Megjithatë, ajo që tani duket e sigurt është se Kievi ka zgjedhur të mos i kufizojë veprimet e tij në ripushtim të thjeshtë, si në Krime apo Donbas, por duke goditur drejtpërdrejt territorin metropolitane të Federatës. Përtej objektivave të ndjeshme si Kremlini, qëllimi përfundimtar i kësaj strategjie është gjithashtu të shkaktojë panik, të shkundë idenë e një fortese të pathyeshme që Vladimir Putin dhe bashkëpunëtorët e tij vazhdojnë t’u thonë rusëve. Moska e ka akuzuar vazhdimisht Ukrainën për kryerjen e sulmeve me dronë në territorin e saj muajt e fundit. Ashtu si 1 gushti i kaluar, kur autoritetet ruse deklaruan se një rrokaqiell në kryeqytet ishte goditur nga një dron për herë të dytë në dy ditë. Sipas monitorimit të BBC, janë rreth 120 sulme me dronë të kryera në territorin rus ose në çdo rast në territoret e kontrolluara nga Moska. Qëllimi i këtij lloji të inkursioneve është, pra, i dyfishtë: objektivi logjistik është i përzier me faktorin psikologjik; hekurudhat, aeroportet, rafineritë, fortifikimet, janë objektivat që po ndjek tani Kievi, për të vonuar aftësinë e reagimit rus.

Nga mbrojtja në sulm

Në shtatë muajt e fundit, sulmi i parë që kërcënoi të fillonte një kundërofensivë pranverore ndodhi më 2 mars. Por padyshim që është muaji maj që regjistroi më shumë sulme, si nga forcat e rregullta, ashtu edhe nga milicitë që përbëjnë kaleidoskopin kompleks të luftës guerile anti-Putin. Lajmi për një sulm në Kremlin me qëllimin për të vrarë presidentin Putin daton në 3 maj, i mohuar nga Kievi. Vetëm një javë më vonë, ndodhi sulmi në një kamp trajnimi rus në Voronezh. Dhe përsëri, më 22 maj, në atë që u duk si “pika e kthesës e konfliktit, u sulmua Belgorodi. Legjioni i Lirisë për Rusinë dhe formacioni i njohur, i Trupave Vullnetare Rus, u bënë protagonistë. Më 30 maj, atëherë, një tjetër sulm me tetë drone në rajonin e Moskës kishte goditur ndërtesat e banimit. Më pas, më 31 maj, rafineria Krasnodar Afipsky, një fabrikë për miliona tonë naftë, dyshohet se u godit nga një dron, më pak se 200 km nga ura e Kerçit. Një valë e re sulmesh në muajin korrik detyroi Moskën të devijonte fluturimet nga aeroporti Vnukovo më 4 korrik, për ta mbyllur përkohësisht atë më 1 gusht, pas sulmeve. Megjithatë, më 4 gusht, sulmet nga dronët ukrainas dëmtuan një anije të marinës ruse në brigjetporti i Novorossiysk, duke prekur për herë të parë procesin e eksportit të naftës që financon “operacionin special”.

“Shënjestrat” e Kievit

Prej rreth tre javësh, Ukraina ka kryer një seri sulmesh thuajse të përditshme me dronë në Moskë, për të demonstruar se kryeqyteti është i pambrojtur. Shkatërrimi i një fabrike arsenali në periferi të Moskës, Sergiyev Posad, konfirmoi aftësinë e Kievit për të goditur në zemër të Rusisë. Sistemet kundërajrore janë projektuar për avionë të mëdhenj dhe jo për drone të vegjël: kjo i lejon Kievit të sulmojë mbi objektiva të shumtë. Në Moskë ka shumë “shënjestra” që mund të sulmohen. Janë katër aeroportet, Domodedovo, Sheremetyevo, Zhukovsky dhe Vnukovo. Po ashtu edhe Pallati i Kremlinit, simbol i të gjithë Federatës. Ndoshta as Sheshi i Kuq nuk mund të flejë i qetë bashkë me Katedralen e Shën Vasilit, emblemë e kryeqytetit rus por mbi të gjitha simbol i krishterimit ortodoks. Në hartën e vendeve të ndjeshme është shtuar edhe lagjja Krylatskoye, në zonën veriperëndimore të qytetit: një lagje kryesisht banimi ku zhvillohej gara me kanotazh. Ajo është një nga lagjet më të populluara për momentin: një periferi për të pasurit që ka ndër çmimet më të larta të pasurive të paluajtshme në botë. Nuk është për t’u habitur që Putin, Dmitry Medvedev dhe kryeministri Mikhail Mishustin kanë apartamente pikërisht aty. Një tjetër vend simbolik është qendra Iq, kompleksi me tre rrokaqiejt e vendosur në zemrën financiare të qytetit.