MENU
klinika

Vendimi

Zgjatet edhe për një vit koncesioni i markimit të naftës

10.08.2023 - 10:20

Qeveria zgjat edhe me 1 vit koncesionin e markimit të karburanteve e cila u dha në 2013 nga atëherë Qeveria e Sali Berishës me një afat 10-vjeçar.

Vendimi është marrë sot (9 gusht 2023 dhe hyn në fuqi menjëherë. Gjithashtu vendimi është publikuar po sot në Fletore Zyrtare bashkangjitur me aneksin e kontratës shtesë së koncesionit për shërbimin e markimit dhe monitorimit të karburanteve që parashikon dhe zgjatjen e afatit të këtij koncesioni deri në vitin 2024.

Kontrata koncesionare e lidhur ndërmjet Autoritetit Kontraktues me kompaninë koncesionare ‘Global Fluids Internationals’ (GFI) ka si objekt markimin/shenjimin dhe monitorimin karburanteve, me qëllim përfundimtar kontrollin cilësor dhe mbledhjen e të ardhurave.

Me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

Vendosi

“Miratimin e kontratës shtesë për ndryshimin e kontratës së koncesionit “Për shërbimin e markimit dhe monitorimit të karburanteve, të lidhur ndërmjet Ministrisë së Financave të Republikës së Shqipërisë dhe bashkimit të përkohshëm të shoqërive ‘Global Fluids International’ S.A. dhe ‘Petroleum Consulting Partners’ A.G.”, miratuar me vendimin nr. 200, datë 13.3.2013, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit të aneksit që i bashkëlidhet këtij vendimi”

Në aneks kontratën e koncesionit për shërbimin e markimit dhe monitorimit të karburanteve thuhet se palët janë dakordësuar për të bërë ndryshime

Në nenin 4 pika 4.1 e kontratës që ndryshon si vijon

“Kohëzgjatja e koncesionit është 11 vjet duke filluar nga Data Efektive.

Në nenin 19, pika 19.1 ndryshon si vijon

Kontrata e koncesionit mbaron me përfundimin e afatit 11 vjeçar të përcaktuar në nenin 4.1 të kësaj kontrate.

Ndërsa parashikimet e tjera të kontratës mbeten të pandryshuara.

Kontrata 10 vjeçare u mbyll më 1 gusht 2023

Kontrata koncesionare përfundonte më 1 gusht 2023, që shënjonte dhe 10 vite nga fillimi i kontratës koncesionare që u ndryshua më 1 gusht 2013 me vendimin e dytë të nxjerrë nga qeveria e mëparshme.

Global Fluids International Albania (GFI Albania) u themelua më 22.03.2013, me kapital themeltar 10’000’000 ALL si bashkim midis Global Fluids International SA dhe Petroleum Consulting Partners AG për të zbatuar koncesionin.

Më 16 shkurt 2022, sipas Regjistrit të Pronarit Përfitues në QKB, u çregjistruan Ismail Mulleti (shtetas shqiptar) dhe Assaf Halkin (shtetas izraelit) dhe u regjistrua Nerve Korkmaz me shtetësi turke duke marrë pronësinë 100 për qind të koncesionit.

Fitimet

Shoqëria koncensionare për shërbimin e markimit të karburanteve GFI Albania arriti një normë fitimi 39 % vitin e kaluar sipas të dhënave zyrtare nga bilanci i dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Të ardhurat e kompanisë në vitin 2022 ishin 430,3 milionë lekë, ndërsa fitimi para taksave arriti në 171 milionë lekë, një shumë sa 39 % e të ardhurave.

Ndërkohë koncesionari i paguan shtetit, një tarifë konçesionare të barabartë me 2.5% (dy pikë pesë përqind) të të ardhurave vjetore që realizohen nga shitja e shërbimit të markimit dhe monitorimit, siç rezulton nga Pasqyrat Financiare të po atij viti.

GFI Albania, e cila markon dhe monitoron karburantet i merr të ardhurat nëpërmjet tarifave të transferuara tashmë në çmimin e naftës, të cilat paguhen nga konsumatorët. Grosistët e hidrokarbureve kanë përllogaritur se vetëm te nafta, konsumatorët paguajnë 2 lekë për litër ose rreth 15 milionë euro në vit që shkojnë të ardhura për koncesionet e skanimit dhe markimit të karburanteve.