Zjarri në një pyll në Greqi është zjarri më i madh i regjistruar ndonjëherë në Bashkimin Europian. 11 avionë dhe një helikopter nga flota e BE-së, pothuajse gjysma e kapacitetit të flotës ajrore, janë dërguar për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit në veri të qytetit të Aleksandoupolit, së bashku me 407 zjarrfikës, tha një zëdhënës i Komisionit Europian, Balazs Ujvari, të martën.
Shërbimi i mbrojtjes civile të BE-së tha se zjarri kishte djegur më shumë se 810 km katrorë, një zonë më e madhe se qyteti i New York-ut. Ky zjarr është më i madhi në BE që nga viti 2000, kur Sistemi Europian i Informacionit për Zjarret e Pyjeve (Effis) filloi regjistrimin e të dhënave.
Shërbimi zjarrfikës i Greqisë tha se zjarri ishte “ende jashtë kontrollit” në parkun kombëtar Dadia, një vend jetik për zogjtë grabitqarë.
Që kur filloi më 19 gusht, 20 persona kanë humbur jetën, 18 prej tyre emigrantë, trupat e të cilëve u gjetën në një rajon që përdoret shpesh si pikë hyrjeje nga Turqia.
Greqia është përballur me zjarre të shumta këtë verë, të cilat qeveria dhe ekspertët ia atribuojnë krizës klimatike.