MENU
klinika

Nga Agron Gjekmarkaj

A do të më shkarkojë Luli nga ofiqet? Seç kam një tundim si llavë përcëlluese

03.09.2023 - 12:33

Satirë hermetike në pritje të një bluze nga Babo virani!
Një miku im gazetar nga ata të mëdhenjtë më bëri një pyetje, a po shqetësohesh nashi që Luli mbushur me poste imagjinare do t’ju shkarkojë nga ofiqet? Ju gjegja si më poshtë!

Unë s’jam këtu se e kërkova këtë post, po se ma kërkoi PD-ja e cila mund të ndahet në sa pjesë të duan teksa i pazoti jam t’i bëj zap. Ata për orekset e tyre e kanë katandisur flamurin e PD në maskë, çarçaf apo jastëk për vete, ndërsa unë jam po ai që isha kur bashkë me Mark Markun kërkuam votën për PD fushave të Lezhës e Kurbinit, kodrave e maleve të Mirditës, televizioneve të Tiranës dhe morëm shumë.

Nuk kam ndërmend të tërhiqem nga pozicioni që më ka dhënë ajo votë, deri kur të kuptohet se cila nga pjesët është në pazar për kockat që hedh Babo virani me xhymertllëkun që i lejon pushteti i pa kufi.
Sapo kocka e tij si dhuratë perëndie të bjerë mbi çarçafin e njërit, jastëkun e tjetrit apo të rrëshqasë nën maskat e improvizuara të të tjerëve, unë do të hap rrugën i buzëqeshur.

Të paktën një buzëqeshje ma kanë borxh secili që më janë lutur të vij këtu ku jam veçse të zgjedh maskën, çarçafin apo jastëkun. Do të tërhiqem edhe në një rast tjetër krejt parimor, nëse Babo me fal edhe mua një bluzë me mëngë të shkurtra si të Zelenskit.

Pra gjëja është më e thjeshtë se duket, tërheqja ime s’i duhet askujt se ata e kanë në dorë të më heqin, kështu që unë pres ose të shoh kockën e Babos se drejt kujt fluturon ose të fluturoj vetë me bluzën e dhuruar nga Babo, identike me atë që thonë se ia ka dhënë vetë ai liderit të rizgjuar nga gjumi i thellë anti -rus.
Ndërsa maskë antiamerikane nuk pranoj po këtë e thashë kot sepse e di që Babo virani nuk e tradhton kurrë atë qerrateshë Amerike ia di kimenë. Ai madje nuk ikën nga froni vetëm sepse nuk ia kalon dot askujt stafetën e dashurisë për Amerikën. E patë se ç’muzë derdhi teksa Juri Kim kalonte oqeanin mbi raportet e ambasadorëve amerikanë të SHBA-ve vetë më shtetin tonë nopran e sedërli?!

Dikush që ka parimin më mirë një vezë sot se një pulë mot mund të thotë të paktën mos insisto tek bluza po rrëmbeji gjyzlykët fap Gaz Bardhit. Atij errësoja rrugën, po kjo s’ka shans të ndodhë sepse nuk i zëvendësoj dot kurrë syzet e mia besnike të cilat më ndihmojnë të lexoj ankthet e ministrushëve të pakët dhe brëngat e melankolitë shpirtkëputëse të ministrusheve të shumta para natës së katër shtatorit që po përjetohet si ajo e shën Bartolomeut. Edha ata e ato të ngratat lagin jastëkë e çarçafë më lot të ngrohtë taze që djegin si acid duke pikturuar portretin e Babos mbi shtroja e mbuloja.

Me lekët e veta i ka Gazi gjyzlykët, përbashkues, deri në dhimbje e ka dëshirën të pajtojë Doktorin me Lulin, mua me Albanën, Joridën me vetveten, Salianjin me të ardhmen e botën, Oerdin me ambiciet, Tritanin me të shkuarën, Mondin me çastin, Xhelën me rastin, Kryezëvendës Liderin Muli me madhështinë, Inën me modestinë.
Vizione të tilla të vënë mbi të dy e të gjithë. Hajde qerrata hajde.

Sikur të mos mjaftonte kjo gjyzlykë të tjera mund të më bëjnë të dua të shkatërroj me çdo çmim Ermonela Felajn dhe kostumi i saj jeshil të na mungojë gjatë, të mos vë re Etildën me syzet e saj bukolike, krehjen e fundit të Mimi di Puçinit, rënkimet e Tonit, të qeshurat e dëlira e të pazë të Xhemalit, gëzimin e pandërprerë të Klotildës, sukseset palestrore të Damos, seriozitetin e Dilo Nasufit, zymtësinë e Nasipit, vëngërsinë e Çyrbes, dëlirësinë politike të Ben Pllumit, domixhanin e Laertit, tavën me petulla të Ikonomit, qashtërsinë e Shalsit, zulmën epike të Bujarit të Lushnjës, sevdanë e dukshme të Ismet Beqirit për liderin, marazin si hartë të Xhafës, nursëzllëkun e Etjenit, dilemat e Klosit, përpëlitjet e Braçes, shkundullimat rrëqethëse të Tezes, që mos e dhëntë Zoti kurrë.

Se ç’kam madje dhe një tundim si llavë përcëlluese që në vend që të tërhiqem nga aty ku skam qenë kurrë, të ngjitem për aty serbes- serbes. Të ulem tek ajo dreq karrigeje që asnjëherë s’më ka ndjerë mbi vete dhe t’i shoh të tërë e të tëra, ashtu nga lart si hijerëndë, si kadi, përballë dhe të skërmis dhëmbët, ah qafira-qafira do ju bëj terbiet!

Ndërsa më në fund të mos e shoh më Babon dhe t’ia bëj rrup-sup, nga sipër ta gjuaj me ç’më zë dora, kur na hedh rrufera e romuze, kocka, bluza e lëpirëse. Nuk mund të rri më të kundroj si kukudh se si ai Skënderbe, se si ai Zeus zverdh e drithëron fytyrat e hasmit të bëra kashtë e koqe nga zavallet apo nga vrapi për të kapur kockën. Nuk e përballoj dot smirën kur pleudaritë e tij skuqin e lumturojnë fytyrat e shoqeni e motrani, të shokëve dhe shoqeve grushtbashkuara rreth komandantit legjendar ymri i të cilit po merr dhenë.

Dhe në fund një apo dy analistë që lexohen gjithmonë me qejf për nopranllëkun, cinizmin dhe gjykimin e fundit pa të cilat ai zanat monoton do të bëhej shkruanin afër së vërtetës mbi ngjarjet në PD në portalin e tyre se “më i zëshmi prej tyre, Agron Gjekmarkaj, larg të tërëve, ka vendosur ta shuajë hidhërimin në fejtone hermetiko-satirike”. Pooo! Nga latinishtja “satura lanx”- satira është pjatanca bosh e mbushur në fruta të rralla e të papjekura për Perënditë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“T’i shkulim Babos qimet e mjekrës”

Gjekmarkaj: Trekëndëshi i Bermudës po bëhet copë e çikë


"Kemi pasur Mbretëreshën nga Hungaria!"

Rama batuta me Orban për “këpucët e mërzitshme”

"Shikojmë pengesa politike! E vështirë për t’i kaluar"

Kryeministri i hungarez: Shqipëria duhet të ishte pjesë e BE

Dy qarqet ku do të aplikohet votimi elektronik

Parlamentaret 2025/ Celibashi i dërgon letër partive politike!

“Sa më shumë kalojnë ditët, dhimbja duket se rritet”

Edlira Çepani prek me fjalët për Gert Bogdanin: Ti e fitove betejën tënde