Apeli i GJKKO ka refuzuar kërkesën e Fredi Belerit për masë më të lehtë sigurie, duke lënë në qeli kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës.
Togat e zeza lanë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj Fredi Belerit, i cili ndodhet në paraburgim prej 12 Majit i akuzuar për blerje votash.
Avokati i Belerit kërkoi pushimin e çështjes, me pretendimin se provat janë të paligjshme, por Apeli i GJKKO-së e konsideroi të plotë hetimin e Prokurorisë, duke i hapur rrugë nisjes së procesit gjyqësor.
“Do të jetë një proces i gjatë, pasi ne do të thërrasim shumë dëshmitarë”, deklaroi avokati në përfundim të seancës gjyqësore.
Avokati Edmond Dema shtoi se është e pakuptimtë që Beleri të vijojë të mbahet në arrest me burg, aq më tepër tani që hetimet janë mbyllur, ndërsa deklaroi se nuk është kërkuar gjykim i shkurtuar.
Në seancën ndaj Belerit ishte dhe ambasadorja greke, Kostandina Kamitsi si dhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule.