MENU
klinika

Koncesioni i sterilizimit

Arben Gjata dhe Genc Byrazeri paraqiten në SPAK

01.09.2023 - 11:02

Rektori i Universitetit të Mjekësisë njëherësh shefi i kirurgjisë në QSUT, Arben Gjata, është paraqitur mëngjesin e sotëm pranë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar, lidhur me hetimet e koncesionit të sterilizimit.

Gjithashtu në SPAK është paraqitur edhe Genc Byrazeri, kushëriri i parë i ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja, pasi ka qenë anëtar i Komisionit të tenderit të sterilizimit.

GJKKO për Gjatën dhe Byrazerin ka caktuar masën “detyrim paraqitje”, ndërkohë siç e përcakton edhe procedura ata duhet të paraqiten në SPAK të premten e parë dhe të premten e fundit të çdo muaj.

Byrazeri ka qenë anëtar i komisionti të Prokurorimeve që ka mundësuar dhënien e koncesionit për biznesmenin Ilir Rrapaj, i cili kishte për detyrë përgatitjen e studimit të fizibilitetit që ka rezultuar se mban të dhëna të rreme.

Ndërsa, Arben Gjata në 2015 ka qenë në komisionin e koncensionit të sterilizimit. Në dëshminë e dhënë herën e kaluar në SPAK Gjata tha se infeksionet spitalore, ishin arsyeja kryesore se përse koncesioni ishte mënyra e vetme për të përmirësuar situatën në spitalet në vend dhe për të patyr një shërbim më cilësor.

Në lidhje me koncesionin e sterilizimit me urdhër të SPAK janë arrestuar biznesmeni Ilir Rrapaj si dhe ish zv.ministri Klodian Rjepaj.