MENU
klinika

Analiza nga DW

Bankat kineze mbështesin financiarisht Rusinë

04.09.2023 - 17:52

Pas sulmit rus në Ukrainë, shumë banka perëndimore u tërhoqën nga Rusia. Institucionet financiare kineze kanë nxituar ta zënë këtë boshllëk: ata e kanë katërfishuar angazhimin e tyre.

Pas sulmit rus në Ukrainë, shumë banka perëndimore u tërhoqën nga Rusia. Institucionet financiare kineze kanë nxituar ta zënë këtë boshllëk: ata e kanë katërfishuar angazhimin e tyre.

Ndërsa institucionet financiare perëndimore janë tërhequr nga Rusia për shkak të sulmit ndaj Ukrainës, bankat kineze kanë vënë në dispozicion të Rusisë dukshëm më shumë para. Sipas llogaritjeve të Shkollës Ekonomike të Kievit për Financial Times, kredia e Kinës për sektorin bankar rus është katërfishuar deri në fund të marsit 2023.

Banka Industriale dhe Tregtare e Kinës (ICBC), Banka e Kinës, Banka e Ndërtimit të Kinës dhe Banka Bujqësore e Kinës rritën angazhimin e tyre të përbashkët ndaj Rusisë me 2.2 miliardë dollarë brenda 14 muajve pas nisjes së sulmit rus ndaj Ukrainës, duke arritur në 9.7 miliardë dollarë, sipas të dhënave nga të Bankës Qendrore ruse. Vetëm ICBC dhe Banka e Kinës kanë vënë në dispozicon rreth 8.8 miliardë dollarë.

Sanksionet perëndimore japin fryte

Huadhënësit kinezë kanë zënë vendin e bankave perëndimore që nuk mbështesin më Rusinë për shkak të sanksioneve ndërkombëtare dhe presionit nga vendet e tyre. “Kreditë e dhëna nga bankat kineze për bankat dhe institucionet e kreditit ruse, ku juani zë kryesisht vendin e dollarit dhe euros, tregojnë se sanksionet po funksionojnë,” tha Andrii Onopriienko, zëvendësdrejtor i zhvillimit në Shkollën Ekonomike të Kievit , i cili përpiloi të dhënat.

Megjithatë, disa institucione në Evropë mbeten aktive. Banka austriake Raiffeisen, për shembull. Kjo bankë, më e përkushtuarara ndaj Rusisë i ka rriti aktivet e saj me më shumë se 40 për qind deri në fund të marsit të këtij viti, në 29.2 miliardë dollarë. Por që atëherë ky institucion financiar i ka reduktuar asetet e tij në 25.5 miliardë dollarë dhe tani, sipas tij, po kërkon mundësi për t’u tërhequr nga Rusia.

Kina dëshiron të thyejë dominimin e dollarit

Lëvizjet e katër bankave më të mëdha të Kinës ndërkohë janë pjesë e përpjekjeve të Pekinit për të promovuar juanin si një monedhë alternative globale ndaj dollarit, raportoi “Financial Times”. Pjesa e juanit në trafikun global të pagesave është vetëm 2.5 për qind. Për krahasim, sipas SWIFT, kompania globale e telekomunikacionit financiar, pesha e dollarit është 39.4 për qind dhe ajo e euros 35.8 për qind.

Në planin për të kufizuar këtë dominim të monedhave perëndimore, transaksionet me Rusinë në monedhën kineze synohet të luajnë një rol. Tregtia midis Rusisë dhe Kinës arriti një rekord prej 185 miliardë dollarësh vitin e kaluar. Juani tani përbën një pjesë prej 16 për qind të asaj shume, sipas gazetës.

Sipas Bankës Qendrore ruse, para luftës në Ukrainë, më shumë se 60 për qind e eksporteve paguheshin ende në monedha që autoritetet e vendit sot i përshkruajnë si “toksike”. Këto përfshijnë dollarin dhe euron. Juani, nga ana tjetër, përbënte më pak se një për qind.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Financial Times"/ Pekini zhvendos fokusin në Arabinë Saudite

‘Një brez, një rrugë’/ Kina nuk ka investuar më në Rusi

Konturet e një krize borxhi kanë filluar të shfaqen

“The Economist”: 53 ekonomitë e brishta në zhvillim