MENU
klinika

Ylli Pata

Bardhi-Berisha, ‘dashuria e pamundur’ që përsëritet prej 30 vjetëve

01.09.2023 - 19:03

Tashmë u bënë zyrtare fjalët që thuheshin si gossip lart e përpjetë. Sali Berisha dhe Gazmend Bardhi janë bashkë. Tashmë, po merren me aspektet teknike e gjejnë modalitetet sa më të mirëqena të bashkëjetesës së tyre politike.

Sali Berisha, si mjeshtër komunikimi, nuk la furçë pa i bërë partnerit të tij politik në konferencën e së premtes. Nga ana tjetër Bardhi, nuk është entuziast, ai thjesht sulmon PD-në dhe Bashën. Duke bërë të ditur se ky partneritet me doktorin nuk është natyral, por nga halli, nga zori, ku e kanë shtyrë ata që sipas tij po e marrin peng PD-në dhe demokratët.

Edhe pse njeriu më i rëndësishëm në PD pas Lulzim Bashës bën naze për relacionin e tij me Sali Berishën, Gazment Bardhi ka flirtuar me foltoren prej dy vjetësh gati.

Madje, Bardhi është njeriu më i rëndësishëm politik i opozitës që i siguroi koalicionit të Sali Berishës dhe Ilir Metës një fushë të lirë në zgjedhjet vendore të 14 majit. Ku, madje doli edhe në fushatë hapur për kandidatë të koalicionit Bashkimi për Fitore. Numri dy i PD-së, është arkitekti i teorisë së moskandidimit nga PD në zgjedhjet lokale, edhe pse të gjithë degët e Partisë Demokratike luftuan fort për të kandiduar. Me një fjalë, Berisha dhe Bardhi, nuk se ndezën në muajt e verës zjarrin e tyre politik, pasi marrëdhënia e tyre është konsoliduar me kohë e me vakt.

Por, në thelb është një marrëdhënie e njohur, madje shumë e përdorur në politikën shqiptare, edhe pse është pak e studiuar. Është ajo marrëdhënie klasike e bashkimit të armiqve, kundër një armiku të madh. Që në traditën shqiptare njihet me postulatin lapidar: “Për inat të sime vjehrre, shkoj e fle me millixhinë”.

Nuk është numri dy i PD-së as i pari, e as i fundit që nga inati kanë kryer lëvizje të forta. i kemi sot në skenën politike dhe atë publike personazhet e këtij soji, që kanë lëvizur nga një krah në tjetrin, kthyer xhaketat e këmishat me disa herë, sa kanë krijuar jo thjesht fenomenin, por edhe një grup të madh politikanësh që “emigrojnë” pa teklif sa në një fole pushtet në tjetrën.

Por thelbi i kësaj marrëdhënieje është se nuk ka lindur as natyrshëm, as nga poshtë, por as me ndonjë logjikë, vizion, apo interes politik. Bëhet fjalë për këndvështirimin e Bardhit, pasi në rastin e Sali Berishës, ai është brenda objektivave që i ka vënë vetes që kur e përjashtoi Lulzim Basha.

Sali Berisha, me atë lëvizje ishte i humbur, pa një bazë politico-institucionale në dorë. Ndaj i vuri vetes objektivë për t’i hequr PD-së, sa më shumë struktura, sa më shumë grupime, sa më shumë individë dhe t’i afronte rreth vetes së tij. Berisha, në rrugën prej 2021, afroi mjaft njerëz që sot nuk janë më me të, duke i joshur me largimin e Bashës dhe dhënien e një cope pushteti për ta. Megjithatë, e gjithë lëvizja e faktorëve që ju bashkuan Sali Berishës në foltore, jo nga struktura e lartë e PD-së, e kanë pasur më të lehtë lëvizjen. Që nga Evi Kokalari, Myslim Murrizi, apo ish-deputetë të tjerë të së ashtuquajturës “opozitë parlamentare” ishin jashtë superstrukturës së PD-së, e nuk kishin një kompleks për të gjetur një hapësirë apo për të përdorur trampolina të përkohshme për të kërcyer.

Por Gazmend Bardhi, i takon një historie tjetër. i cili pas vendimit të Bashës për të përjashtuar Sali Berishën ishte ndër mbështetësit më të mëdhenj. Madje deri në çmendurinë e 8 janarit, ku “demokratët” u përballën në betejën epike me armë nga antikiteti.

Bardhi, madje ka qenë më i qartë nga të gjithë drejtuesit e PD-së gjatë këtij dy vjeçare për rrugën që duhet të ndjekë kjo parti për tu shkëputur nga Sali Berisha. Madje disa herë edhe më shumë sesa Enkelejd Alibeaj. Por erdhi një ditë, që si Bardhi, e si Tabaku ranë, u dorëzuan, kur panë që nuk po gjenin atë që ata mendojnë se i takon në Partinë Demokratike. Krejt natyrishëm si arsye dhe si ambicje.

Por a është rrugë rikthimi si djali plangprishës, kur e gjithë përvoja e gjatë ka provuar se asnjë prej të rikthyerve nuk ka bërë hajër. Edhe pse mund të kenë prekur pak pushtet si pasojë e “bamirësisë” së doktorit, karriere politike e të gjithë atyre që u rikthyen pas ikjes ka qenë fatkeqe. Lista është e gjatë; që nga mocionistët e parë: Preç Zogaj, Arben Imami, Neritan Ceka etj, por edhe tek rastet e freskëta si Jozefina Topalli. Për të mos thënë pastaj tek rastet që kanë impakt më negativ në publik siç është fenomeni “Kastriot Islami”.

Të gjitha këto lëvizje kanë rezultuar të jenë jo productive, e ushqejnë mjedisin politik shqiptar me sindromën “kaçislami”, ku njerëzit edhe pse shahen e përleshen, një ditë mund të puthen e të bëhen bashkë. Por ky eksperiment nuk se ka funksionuar. Padyshim që të mëdhenjtë, liderët kryesorë; pra Sali Berisha në një anë, apo Lulzim Basha më pas, e nga ana tjetër Fatos Nano e Edi Rama, i kanë përdorur “djemtë plangprishës”, madje edhe keqpërdorur. Por asnjëherë nuk i kanë besuar, nuk i kanë konsideruar si pjesë të rëndësishme të tyre.

Përvojat janë këtu dhe mjaft fatkeqe. Ku është sot Kastriot Islami, një nga shkencëtarët më të rëndësishëm në vend, dhe i aktivizuar që në fillim të viteve 90. E nisi si ministër i Arsimit i PPSH, kryetar i Parlamentit nga PS, zv.kryeministër e disa herë ministër i PS, deputet i PS, e më pas deputet i PD. E sot, e kanë harruar të gjithë. Sepse, sado që zoti Islami ka pasur arsye që të kishte inat me Edi Ramën, e ndoshta kishte të drejtë, lëvizja e tij tek Sali Berisha, nuk mund të përcillej si nga e majta, si nga e djathta.

Ndaj sot, njerëzit që kanë qenë me Berishën, më pas u bënë me Nanon, ikën me Edi Ramën, u prishën me të u bënë me Ilir Metën, pastaj me Berishën, e sot janë ithtarë të Fred Belerit e Athinës zyrtare, janë më të pagëlltitshmit nga publiku, e më të sulmuarit në komente e rrjete sociale.

Inati, nuk është arsye. Pezmi nuk është ideologji, urrejtja nuk është argument.

Megjithatë, natyrshëm lind pyetja: çfarë të ardhme do të ketë Gazment Bardhi në shtëpinë politike të Sali Berishës dhe Ilir Metës. E shumta, kandidat e ndoshta edhe deputet në 2025-ën…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN