MENU
klinika

Si iu përgjigj Lulzim Basha ftesës për të marrë pjesë

Bardhi mbledh deputetët e Partisë Demokratike, i bashkohet edhe grupi i Berishës!

05.09.2023 - 09:57

Gazment Bardhi ka thirrur sot një tryezë të të gjithë deputetëve të opozitës, ku do të mungojë Lulzim Basha, por do të marrë pjesë Sali Berisha, deputetët që e mbështesin dhe krerët e partive aleate.

Sipas tij, synimi i këtij takimi është unifikimi i forcave në Parlament në sesionin e ri parlamentar. Në nisje të seancës plenare, Bardhi deklaroi se Shqipëria kë nevojë për një opozitë funksionale.

“Cilido deputet që e ndjen veten opozitar, le të vijë në takim. Roli im është të unifikoj të gjithë deputetët në një qëndrim”, u shpreh Gazment Bardhi.

Ai shtoi se edhe Basha është i ftuar në takim, në rast se ka ambicie për të qenë kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së.

“Kam thirrur në takim të gjithë deputetët e koalicionit Aleanca për Ndryshim e vitit 2021. Patjetër edhe Basha është i ftuar në mesin e 59 deputeteve që e kanë këtë ftesë. Le të vijë në rast se ka edhe ambicie për të qenë kryetar grupi”, u shpreh Bardhi.

Ai bëri me dije se: “Njoftimin e kanë marrë të gjithë, 59 deputetë. Demokratët janë çarë në tre fraksione në Parlament. Njëri është grupi i Berishës, tjetri grupi i Bashës dhe një tjetër grup është ai i Bardhit.”

Në përfundim të seancës parlamentare lideri demokrat Sali Berisha deklaroi për gazetarët se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Gazment Bardhit për të marrë pjesë në takimin e thirrur më 5 shtator, me qëllim bashkimin e frymës së deputetëve demokratë në Kuvend. Lideri i opozitës e quajti këtë ftesë si një hap pozitiv dhe se gjithçka do të bëhet e ditur në kohën e duhur. Berisha riktheksoi gjatë fjalës së tij se ky Parlament mbetet i vetmi në Europë, ku vota shndërrohet në krim dhe droga shndërrohet në votë.

“Theksova edhe në Parlament, theksoj përsëri se ky Parlament është i ngritur mbi krimin, drogën, është parlamenti i vetëm në Europë, në të cilin vjedhja, krimi, droga shndërrohen në votë dhe vota shndërrohet në krim. Është institucion i fatkeqësisë kombëtare, është institucion që të vetmin vendim që ka marrë, ka dyfishuar rrogat e tij, është institucion i cili ka kaluar me dhjetëra vendime të lotuara nga krimi dhe grupet kriminale, është institucion i cili ka bllokuar të gjitha nismat me rëndësi kombëtare.

Nuk ka lejuar rezolutën për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë dhe trojet shqiptare. Është institucion i cili me qëndrimet e tij, jo që nuk i shërben integrimit, por i shërben dezintegrimit të Shqipërisë në BE dhe e lë në vend numëro. Është institucion i cili siç e dëgjuat përpiqet të përligjë gjithçka antikushtetuese, antiligjore të qeverisë dhe të mbulojë krimet e saj”, deklaroi lideri demokrat.

Sali Berisha, e cilësoi Parlamentin shqiptar si shpella më e madhe e mafies e bazuar e tëra mbi krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve. Sipas tij bandat e qeverisë kokurrojnë edhe ato në Bolivi dhe Ekuador, dhe se lidhjet me to janë tejet të forta. Berisha pohoi se, kjo qeveri ka dhunuar votën e shqiptarëve, duke i zhytur ata në mjerim dhe varfëri.

Berisha i bëri thirrje shqiptarëve që t’ia shkurtojmë ditët këtij parlamenti, sepse nuk meriton të ekzistojë një parlament i cili ka miratuar ligje dhe rregulla që ndihmojnë Serbinë e Madhe të Ballkanit të Hapur.

“Ky parlament është i bazuar i tëri mbi krimin, mbi drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve. SKY ECC, EncroChat dëshmojnë se lidhjet tuaja me bandat dhe krimin shkojnë në Meksikë, në Ekuador, në Bolivi. Dëshmojnë se ju keni dhunuar në mënyrën më flagrante, keni vjedhur votën e shqiptarëve dhe nuk meritoni asnjë ditë të vetme të jeni në këtë sallë. Dëshmoj se shumica juaj duhet të jenë te Balili dhe te Balilat tuaj, së pari. Së dyti, ky Parlament është turpi i historisë.

Për herë të parë një parlament voton për dyfishimin e rrogave të deputetëve, në një kohë kur lenë në mjerim, në gomone, në varfëri ekstreme qytetarët, sepse kur psikologjinë, kur ndërgjegjen, kur logjikën ta infiltron krimi ke humbur çdolloj mundësie për të arsyetuar. Së treti, kur po lexoje atë fjalim më kujtove Vitori Çurin, por absolutisht ajo ka qenë edhe më modeste se sa ti. Po si mund të dalësh këtu para të lexosh një raport të atillë? Fund e krye mashtrime dhe vetëm mashtrime.

Parlamenti nuk shpreh më interesat e shqiptarëve, ndaj dhe unë ju ftoj të dashur qytetarë t’ia shkurtojmë jetën, ditët një parlamenti që nuk meriton të ekzistojë. Një parlamenti antikombëtar që refuzon të dënojë gjenocidin serb mbi shqiptarët, një parlamenti që ka miratuar ligje dhe rregulla që ndihmojnë Serbinë e madhe të Ballkanit të Hapur. Një parlamenti që vetëm shqiptar nuk mund të quhet”, u shpreh Berisha.