MENU
klinika

“Qytetarët janë lënë në harresë”

Basha larg konfliktit në Kuvend: Kemi nisur rrugëtimin për të ndryshuar sistemin e kalbur politik

20.09.2023 - 17:18

Kreu i PD-së Lulzim Basha në një kohë kur përplasjet brenda opozitës po shtohen për kryetarin e Grupit, ai duket se është fokusuar në gjëra të tjera. Ditën e sotme ai zhvilloi një takim me qytetarët në Durrës, ku deklaroi se ata janë lënë në harresë për një kohë të gjatë nga politika e zhurmës, që sipas tij, vërtitet rreth halleve për karrige dhe jo problemeve të tyre.

Përmes një reagimi në Facebook, ai shtoi se ekonomia shqiptare sot vuan mungesën e garës, e cila është kushti thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm.

Basha thotë gjithashtu se rruga e nisur për të ndryshuar këtë sistem politik, do të jetë e gjatë dhe e vështirë, por sipas tij, PD do të qëndrojë krahë qytetarëve.

“Në Durrës, për të dëgjuar zërin e atyre që për një kohë të gjatë janë lënë në harresë nga politika e zhurmës, që vërtitet rreth halleve për karrige, jo rreth problemeve të qytetarëve.

Ekonomia shqiptare sot vuan mungesën e garës, e cila është kushti thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm. Kjo vjen si pasojë direkte e mungesës së garës në sistemin politik, që ka krijuar një ekonomi në varësi të vullnetit të qeveritarëve, duke e bërë të brishtë e të pasigurtë të ardhmen e familjeve shqiptare. Rruga për të ndryshuar këtë sistem është e gjatë dhe e vështirë, ne e kemi nisur atë e do të qëndrojmë në krah të qytetarëve për ta vendosur politikën në shërbim të mirëqenies së tyre”, shkruan Basha.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN