MENU
klinika

Mbledhja e Këshillit Kombëtar

Basha zgjedh kupolën e PD-së: Numërimi mbrapsht ka nisur! Do riformatoj partinë

09.09.2023 - 11:56

Kryetari i Partisë Demokratike zyrtare, Lulzim Basha ka mbledhur ditën e sotme Këshillin Kombëtar që doli nga Kuvendi i 2 shtatorit për të zgjedhur strukturat e reja të kupolës drejtuese.

Sot Basha shkarkoi zyrtarisht sekretarin e përgjithshëm, Gazment Bardhi dhe zgjedh katër nën kryetarët e rinj të partisë.

Njërit prej të cilëve ka premtuar se do i delegojë postin e kryetarit të grupit. Mësohet se ky post do t’i kalojë Enkelejd Alibeajt.

“Humbëm kohë të çmuar duke u marrë me probleme personale të pak politikanëve. Detyra jonë të jemi në shërbim të qytetarëve, të Shqipërisë.

Pas Kuvendit Kombëtar të javës së shkuar, hedhim sot një tjetër hap të rëndësishëm për Partinë Demokratike, formatimi i forumeve statutore të partisë. Ky hap i jep hov të ri aksionit tonë politik, që për shumë gjatë u largua nga detyra jonë parësore, ajo e të qenurit në shërbim të demokratëve, të qytetarëve, të Shqipërisë.
Ne e dimë që në asnjë moment nuk kemi hequr dorë nga përgjegjësia që na mban në politikë, madje kemi sakrifikuar shumë të gjithë bashkë për të mbrojtur vlerat që na bashkojnë në këtë familje të madhe. Por kur zhurma e përplasjes bëhet më e fortë se zëri i arsyes, të gjithë humbasim.

Ne humbëm kohë të çmuar duke u marrë me probleme që nuk kanë lidhje me shqetësimet e njerëzve por me shqetësimet dhe problemet personale të pak politikanëve, që për të mbuluar të keqen e tyre, janë gati të shkatërrojnë të mirën e përbashkët.

Të nderuar anëtarë të Këshillit, Ju jeni dëshmitarë dhe përmbarues të vullnetit të delegatëve të 2 shtatorit, që me votën e tyre zgjodhën një tjetër model politik.

Ky model ndahet me hipokrizinë, me inkoherencën, me standardet e dyfishta, që e kanë neveritur qytetarin nga politika e fasadës, e intrigës, arrogancës, hiles dhe e përfitimeve personale.
Demokratët dhe mbarë shqiptarët presin dhe meritojnë një model krejt ndryshe, të politikës së vëmendshme ndaj njerëzve dhe jo të obsesuar me fatin e vet personal, të një politike të ndjeshme dhe të dhembshur, një politikë e njerëzve dhe për njerëzit, që i dëgjon ata dhe u jep zgjidhje problemeve të tyre.
Pas Kuvendit Kombëtar, numërimi mbrapsht ka nisur për të gjithë ne.”, tha Basha.