MENU
klinika

Takimi i dështuar

BE paralajmëron Kosovën dhe Serbinë: Nëse nuk ka dialog brenda vitit, do përballeni me sanksione

15.09.2023 - 22:31

Brukseli ka kërkuar që si Kosova ashtu dhe Serbia të zbatojnë marrëveshjet e arritura mes tyre…
Bashkimit Europian i është sosur durimi me Kosovën dhe Serbinë. Dje takimi mes Kurtit dhe Vuçiçit nuk dha rezultat dhe duket se tani do të ketë pasoja.

ADVERTISING

PAMFLETI
Aplikacioni i ri. Shkarkoje tani!
I vlefshëm për Android & iOS.

Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet dy vendeve, Miroslav Lajçak, ka vënë si afat fundin e vitit për zbatimin e marrëveshjeve mes dy vendeve. Nëse Kosova dhe Serbia hezitojnë, atëherë mund të ketë sërish sanksione.

“Gjashtë muaj kaluan, megjithatë, zbatimi i marrëveshjes nuk filloi. Të dyja palët kanë një mosbesim të madh ndaj njëra-tjetrës. Ata thonë, më jep atë që meritoj dhe pastaj do të bëj atë që është e nevojshme”, tha Lajçak.

Ai shtoi se “nuk funksionon kështu”, teksa u shpreh se kjo është arsyeja pse BE-ja paraqiti një propozim prej shtatë pikash që lejon të dyja palët të veprojnë paralelisht.

Sipas Lajçakut, propozimi i BE-së është transparent dhe i matshëm, ai mund të pezullohet në çdo kohë nëse njëra palë ndalon përmbushjen e detyrimeve të saj.

“Kurti insiston në dokumente, të cilat de facto nisin me faktin se Serbia tashmë e njeh Kosovën dhe vetëm atëherë bën pjesën e saj të punës, që natyrisht nuk është rruga e duhur përpara”, shpjegoi diplomati sllovak.

Ndërkohë zëdhënësi i BE, Peter Stano ka kërcënuar me sanksione të dyja shtetet nëse vijojnë të zvarrisin dialogun mes tyre.

“Nëse ndonjë anëtar i BE-së nuk sheh hapa për shtensionim, mund të futen masa shtesë për Kosovën, por edhe për palën tjetër. Ky është një proces që anëtarët po e ndjekin, nuk janë të kënaqur me zhvillimin e ngjarjeve. Ata kishin pritshmëri të ndryshme dhe nëse situata vazhdon të zhvillohet kështu, do të sjellë përgjigje më specifike”, tha Stano.

Sipas tij, i dërguari special për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, ka nisur t’i informojë shtetet anëtare për takimin e 14 Shtatorit, dhe pas analizës, shtetet anëtare do të vendosin se çfarë do të ndodhë më pas.