MENU
klinika

Dy politikanët që po kërkojnë të ndezin Ballkanin,

Beogradin e pret kriza më e rëndë që nga Lufta e Dytë Botërore

13.09.2023 - 15:44

Analisti i Çështjeve Ballkanike, Daniel Server, ka paralajmëruar ditën e djeshme se një kërcënim edhe më serioz në rajon është i pranishëm në Kosovë. Serbia tashmë kontrollon katër komuna me shumicë serbe në veri të lumit Ibër. Me inkurajimin e Beogradit, serbët atje braktisën institucionet e Kosovës, bojkotuan zgjedhjet e fundit dhe u rebeluan kundër vendosjes së kryetarëve të komunave jo-serbë që u zgjodhën. Serbia rrëmbeu tre policë të Kosovës, mobilizoi ushtrinë përgjatë kufirit, kërcënoi Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe hodhi poshtë marrëveshjet e arritura me Prishtinën që Amerika dhe BE pretendojnë se janë ligjërisht të detyrueshme. Amerikanët dhe evropianët u përgjigjën vetëm me qortime të buta verbale. Edhe pse veriu i Kosovës tani është i qetë, sipas analistit, Daniel Server, diplomatët e Amerikës dhe BE-së ende insistojnë në tërheqjen e policisë së Kosovës nga territori sovran i saj. Ndërkohë, kryetari serb Vuçiç ka qenë i zënë me përpjekjet për të penguar Ukrainën që të njohë pavarësinë e Kosovës, një shkelje e qartë e një marrëveshjeje që evropianët dhe amerikanët thonë se është e detyrueshme, ka shkruar mes tjerash, analisti, Daniel Server. Gjithashtu, ai tha se përveç Vuçiçit, një tjetër kërcënues i madh i paqes dhe i stabilitetit dhe përparimit drejtë BE-së është dhe Dodik. “Ata ende po përpiqen të përkulin Bosnjën, Kosovën dhe Malin e Zi në drejtime që shumica nuk dëshiron të shkojë. Dështimi është një opsion. Tani është koha për të rivlerësuar dhe korrigjuar kursin. Demokracia dhe shteti i së drejtës e kërkojnë këtë”, ka shkruar Server. Pra sipas tij dy kërcënuesit më të mëdhenj të paqes në Ballkan janë politikanët Vuçiç dhe Dodik.

Takimi në Bruksel

Por takimi që ka përgatitur SHBA-BE në Bruksel për Kosovën dhe Serbinë, po alarmon Beogradin. Lëvizja për Rivendosjen e Mbretërisë së Serbisë (POKS) të martën ka kërkuar nga Qeveria e Serbisë dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, që të pezullojnë zbatimin e mëtejmë të marrëveshjeve që Kosova dhe Serbia kanë arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE). Kjo lëvizje me elemente fashiste ka vlerësuar se kërkesa e ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rhode, për zbatimin e menjëhershëm të Marrëveshjes së Brukselit (27 shkurt) dhe Aneksit të Ohrit (18 mars ) është e pavend dhe joreale, derisa ka shtuar se implementimi i tyre duhet të shtyhet deri në zgjedhjet e përgjithshme në Serbi. “Në zgjedhjet e ardhshme, populli do t’ua japë besimin ose partive që janë pro zbatimit të atyre marrëveshjeve dhe njohjes faktike të të ashtuquajturës pavarësi të Kosovës ose ata që janë pro anulimit të tij”, ka thënë kryetari i POKS-it, Vojislav Mihailoviç, ndërsa ka shtuar se veç një qeveri e re do të ketë legjitimitetin të marrë këto vendime. “Serbia pas disa muajsh do të mbajë zgjedhje, ku populli do të vendosë nëse duhet t’i njohë pasaportat, simbolet shtetërore dhe integritetin territorial të të ashtuquajturës Kosovës siç parashihet nga marrëveshja e pranuar nga presidenti serb në Bruksel”, ka thënë ndër të tjera Mihailoviçi. Mihailoviçi ka paralajmëruar se nëse Qeveria e Serbisë nis zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të dialogut “para zgjedhjeve dhe pa pëlqimin e popullit”, atëherë Serbia do jetë “në prag të konfliktit dhe në krizën më të rëndë të brendshme shtetërore e politike që nga Lufta e Dytë Botërore”. Më 14 shtator (e enjte) në Bruksel pritet të zhvillohet takimi i nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e BE-së. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë janë takuar për herë të fundit më 2 maj nën patronazhin e përfaqësuesve të lartë të BE-së. Liderët e institucioneve të BE-së gjithashtu po presin që palët të kontribuojnë në krijimin e atmosferës së normalizimit të marrëdhënieve, pajtimit dhe zbatimit të shpejtë të angazhimeve që Kosova dhe Serbia kanë marrë përsipër veçanërisht në fund të shkurtit në Bruksel dhe më pas në mes të muajit mars në Ohër.