MENU
klinika

Dalin para togave të zeza anëtarët e organizatës kriminale

Blindohet Gjykata e Vlorës

20.09.2023 - 10:32

Kanë mbërritur në Gjykatën e Vlorës, 6 personat e arrestuar nga forcat RENEA dy ditë më parë në një lokal në qytetin e Vlorës.

Satilno Basho, Mariglen Aliaj, Bruno Shehu, Mehmet Hoxhaj, Beraldo Xhindi dhe Kevin Metaj priten të njihen me masën e sigurisë dhe gjyqtare e çështjes është Emirjana Dimo.

Ndërkohë forcat e policisë kanë blinduar gjykatën e Vlorës.

Dy prej të arrestuarve, Satilno Basho, Mariglen Aliaj, sipas policisë, po përgatiteshin të kryenin vrasje.

Ata u vendosën në pranga nga forcat RENEA mbrëmjen e së dielës (17 shtator) në ambientet e lokalit në lagjen “Lef Sallata”.

Satilno Basho është vëllai i një prej të fortëve të Selenicës, Tesi Basho, i cili rezulton një person me rrezikshmëri të lartë, i dënuar në Itali me burgim të përjetshëm për vrasje.

Arrestimi

37-vjeçari Satilno Basho dhe 33-vjeçari Mariglen Aliaj po qëndronin me 2 pistoleta të gatshme për qitje në lokal kur u kapën nga RENEA.

“Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve, në bazë të inteligjencës policore, parandalon një ngjarje të mundshme kriminale kundër personit, e cila do të kryhej me disa armë zjarri”, informoi policia.

Në pranga kanë rënë edhe 4 shtetasit e tjerë, për moskallëzim të krimit, 3 prej të cilëve pjesë e grupit kriminal ku bënin pjesë Satilno Basho dhe Mariglen Aliaj:

-Bruno Shehu, 29 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;

Mehmet Hoxhaj, 27 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;

-Beraldo Xhindi, 29 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;

-Kevin Metaj, 28 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Ndërkohë blutë e Vlorës sekuestruan 2 armë zjarri pistoleta, municion luftarak, 3 automjete, 2600 euro dhe 8 celularë.