MENU
klinika

Bisedimet në Bruksel

Borrell pret të parin Vuçiç, më pas takim me Kurtin

14.09.2023 - 10:19

Sot në Bruksel zhvillohen takimet e nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Është paralajmëruar që takimet të nisin prej orës 09:00 të mëngjesit.

Klan Kosova mëson se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, si dhe i Dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, së pari do takojnë Vuçiç dhe më pas Kurtin.

Sipas agjendës së publikuar nga BE-ja, pas takimit në orën 09:00, nga ora 10:00 nis takimi Borrell-Lajçak-Kurti, ndërsa në orën 11:00 është paraparë që të zhvillohet takimi trelateral.

Pas takimeve, Borrell do të dalë në një konferencë për media ku pritet të shpalos detaje rreth takimit.

Takimi vjen në kohën e tensioneve të larta në veri të Kosovës. Situata atje është acaruar qysh nga fundi i majit. Atëkohë, grupe serbësh kishin nisur protestat për të kundërshtuar vendosjen e kryetarëve shqiptarë, nën përcjelljen e policisë në zyrat e komunave në veri.

Këta kryetarë kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit që janë mbajtur në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, por që janë bojkotuar nga popullata lokale serbe.