MENU
klinika

Vrasja e policit në Kosovë

Braçe demaskon Vuçiç: Dorëzo dy terroristët që ke strehuar në spitalin “Novi Pazar”

25.09.2023 - 11:02

Deputeti socialist, Erjon Braçe ka reaguar për ngjarjen e ndodhur në veri të Kosovës mëngjesin e së dielës, ku një polic mbeti i vrarë, ndërsa dy të tjerë mbetën të plagosur.

ADVERTISING

PAMFLETI
Aplikacioni i ri. Shkarkoje tani!
I vlefshëm për Android & iOS.

Braçe akuzon dhe i bën thirrje Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç që të dorëzojë dy kriminelët e strehuar në Spitalin Novi Pazar në Serbi. Autoritetet kosovare ende nuk e konfirmojnë një lajm të tillë të publikuar nga deputeti, ndërkohë konfirmimi zyrtar i Ministrisë së Brendshme mbetet ai tre sulmuesve të vrarë dhe një të arrestuari.

“VUÇIÇ ka për detyrim ligjor të dorëzojë menjëherë dy terroristet që ka strehuar në SPITALIN E NOVI PAZAR! Kudo në botë kriminelët që vrasin POLICË, dorëzohen në vendin ku kryen krimin, nuk strehohen, nuk mbrohen!”, shkruan Braçe.

Kujtojmë se ditën e djeshme për rreth 1 ditë një prej komunave në veri të Kosovës, Zveçani ka qenë pre e një sulmi të paprecedentë nga ana grupeve kriminale serbe, të cilët vranë efektivin në detyrë Afrim Bunjakun. Grupe të organizuara me uniforma, të armatosur rëndë mësynë në veri të Kosovës qëlluan në drejtim të policisë së Kosovës, duke vrarë 1 dhe duke plagosur 2 të tjerë.

Në orët e mbrëmjes, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar. Pas ngjarjes ka patur një sërë reagimesh të njëpasnjëshme duke nisur nga autoritetet e Kosovës, komuniteti ndërkombëtar, mediat dhe autoritetet serbe.

Ndërkohë, dy krerët e vendeve si Kurti dhe Vuçiç kanë sulmuar njëri-tjetrin si shkaktar të situatës së ndodhur. Kurti e ka quajtur grupin të përgatitur ushtarakisht në Beograd, kurse Vuçiç është shprehur se “edhe sikur të na vrasin të gjithëve, Kosovën nuk do ta njohim”.