MENU
klinika

Euro vijon rënien drastike...

Çfarë po ndodh me monedhën europiane?

11.09.2023 - 17:41

Euro e ka nisur edhe këtë javë në rënie në kursin e këmbimit me Lekun. Sipas të dhënave nga banka e Shqipërisë, Euro zbriti poshtë nivelit të 107 lekëve për herë të parë që nga data 23 gusht. Monedha europiane u këmbye me 106.87 lekë, në rënie me 0.45 lekë që nga fundi i javës së kaluar. Krahasuar me datën 25 gusht, kur arriti nivelin më të lartë të tre muajve të fundit, kursi i këmbimit Euro-Lek ka rënë me 3.71 pikë.

Agjentët e këmbimit valutor shprehen se oferta e monedhës europiane vazhdon të jetë e bollshme, ndërsa kërkesa për të është zbehur gradualisht, pas një kërcimi të fortë në pjesën e fundit të muajit gusht. Ekspertët mendojnë se rritja e kërkesës ishte e përkohshme dhe ndoshta shumë agjentë ekonomikë kanë kryer blerje në avancë, edhe për periudhën e vjeshtës.

Një sjellje e tillë mund të shpjegohet me pritshmërinë për një forcim gradual të Euros pas muajit shtator. Megjithatë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Nëse shumë subjekte i kanë përmbushur nevojat valutore afatshkurtra qysh në muajin gusht, mund të jetë e kuptueshme që kërkesa të ketë pësuar gradualisht rënie gjatë dy javëve të fundit.

Nga ana tjetër, prurjet valutore ngelen të larta, megjithëse piku i sezonit veror ka kaluar. Ekspertët vërejnë se në vitet e fundit sezoni veror është zgjatur ndjeshëm në kohë dhe është më pak i përqendruar vetëm në periudhën korrik-gusht.

Tashmë, efektet e turizmit në kusin e këmbimit valutor po shfaqen të ndjeshme edhe në muajt qershor dhe shtator. Në mënyrë të tërthortë, kjo konfirmohet edhe nga vlerësimet e operatorëve turistikë, që kanë dëshmuar një shfrytëzim të lartë ta kapaciteteve të hotelerisë edhe në muajin shtator.

Një situatë e tillë ka bërë që rritja e fortë e Euros në fund të muajit gusht të “shfryhet” gradualisht.

Edhe valutat e tjera kryesore e nisën javën në rënie. Dollari Amerikan zbriti poshtë kufirit të 100 lekëve dhe u këmbye me 99.68 Lekë. Edhe Paundi Britanik zbriti për herë të parë në tre javë poshtë nivelit të 125 lekëve, duke u këmbyer me 124.85 lekë.

Leku i fortë në kursin e këmbimit po luan një rol të rëndësishëm në kufizimin e presioneve inflacioniste nga jashtë. Gjithashtu, forcimi i monedhës vendase ndaj Euros ka dhënë një ndikim pozitiv në buxhetet e familjeve dhe subjekteve që kanë kredi në monedhën europiane dhe të ardhura në Lekë. Mbiçmimi i Lekut ka neutralizuar rritjen e ndjeshme të normave të interesit të kredive me interes të ndryshueshëm në Euro.

Por, forcimi i Lekut po prodhon efekte negative për sektorët eksportues dhe sidomos për ata të fasonerisë. Në një analizë që publikuan në fillim të këtij muaji, eksportuesit vlerësonin humbje në vlerën e afërsisht 35 milionë eurove nga mbiçmimi i Lekut për 6-mujorit e parë të këtij viti./Monitor

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Zbritja e parë pas tre vjetësh

Bien çmimet e prodhimit me 0.2%

Zonat rurale drejt pragut të varfërisë

Bujqësia në vështirësi, ‘shuhen’ fermat e vogla!