Qirjako Micotaqis, disa muaj përpara fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të majit të këtij viti, vizitoi zonat e banuara nga minoriteti grek në Shqipëri; Dropullin e Finiqin, si dhe Himarën.
Micotaqis, dhe partia e tij, të favorizuar nga një dobësi e opozitës së majtë greke, e cila është mjaft e përçarë, bëri një strategji për të fituar një mazhorancë absolute në Parlamentin grek. Një ambicje e madhe, duke pasur parasysh që prej dekadash qeveria greke ka ardhur si pasojë e aleancave të çuditshme. Sa për shembull: babai i kryeministrit të sotëm grek, Kostandin Micotaqis, qeveriste me koalicion me një grup kryeministësh grekë. Një nga këto ishte edhe muzikanti me famë botërore, Mikis Teodorakis, i cili ishte ministër i Kulturës në qeverinë konservatore. Ndërkaq, Alexis Tsipras, një politikan që vinte nga e “majta e thellë” qeverisi me një parti ekstremi të djathtë, ANEL, ku ministër të mbrojtjes kishte Panos Kammenos.
I cili shpesh vishte uniformën kaki e bënte manovra ushtarake në kufi me Shqipërinë, një vend aleat të NATO-s. Ishte qeveria Tsipras që i hoqi Jorgo Goros-kryebashkiakut të Himarës shtetësinë greke. Ishte pikërisht qeveria e Tsiprasit që riaktivizoi Fredi Belerin në fokusin e qarqeve zyrtare greke.
Leonidha Rokanas, ambasadori i atëhershëm grek, që vinte nga një eksperiencë me shërbimet sekrete të vendit të tij, zhvillonte shpesh takime me Fredi Belerin jo zyrtare, pasi konsiderohej problematik falë dosjes së tij penale, por edhe lidhjeve politike.
Beleri ishte një nga anëtarët e Agimit të Artë, një organizatë ekstremiste neonaziste, e cila doli më pas jashtë ligjit në Greqi.
Ishte pikërisht atëherë që Beleri nisi të dalë në media, si një eksponent politik, dhe u ngjiz me partinë e Vangjel Dules dhe Omonian. Dule, pasi humbi totalisht mbështetjen politike të banorëve të minoritetit grek në Dropull e Finiq, por edhe kontaktet me autoritetet e Athinës, pasi u kthye në irilevant si faktor, u qas me qarqet politike ekstremiste greke, ata që kërkojnë autonominë e “Vorio Epirit”. Por partia ANEL e ish-ministrit të Mbrojtjes, nuk arriti që të bëhej e dashur te ekstremistët që kishin qenë anëtarë të Agimit të Artë. Pasi neonazistët nuk ua falnin si Kamenosit, ashtu edhe Tsiprasit nxjerrjen jashtë ligje të partisë së tyre dhe burgosjen e udhëheqësve.
Duke parë këtë situatë, Neo Demokratia e Qirjako Micotaqisit, e cila herë pas here në histori kishte pasur aleanca me qarqe ekstremiste nacionaliste, kryesisht në veri të Greqisë, në kufi me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, ju afrua ish-elektoratit të Agimit të Artë.
Në zgjedhjet e vitit 2019, Nea Demokratia arriti të marrë një pjesë të elektoratit që kishte votuar Agimin e Artë, ndërsa në zgjedhjet e këtij viti ju fut me kokë, pasi Micotaqis kërkonte që të merrte i vetëm shumicën parlamentare për të qeverisur pa aleatë. Mirëpo për të arritur këtë objektiv, i është dashur të bëjë aleanca me faktorë lokalë dhe periferik, të cilët grumbullojnë sillogje e qarqe ekstremiste të të gjitha niveleve.
Ndërkaq, në kulmin e fushatës për zgjedhjet parlamentare greke, Fredi Beleri, ishte një nga eksponentët kryesorë të propagandës për të fituar zgjedhjet në veri të Greqisë, nga eksponentë të Nea Demokratia. Të cilët jo vetëm premtuan marrjen e Himarës, por hapën fjalë si atje edhe këtu se “e kemi mbyllur këtë punë”.
E kështu Micotaqis, lejoi qarqet e tij që të kryenin “Dirty buisnes” me Sali Berishën për kandidimin e Fredi Belerit në Himarë. Një marrëveshje politike me një të ndëshkuar nga SHBA si “Non Grata”, e kandidimin e një personi penalisht të pakandidueshëm, e politikisht që zgjon të gjithë demonët nacionalistë nga të dy krahët.
Siç po e shikojmë, nismën e ka marrë PDIU e Shpëtim Idrizit, që natyrisht nuk do t’i humbë ky rast, ndërkohë që “BF” e Sali Berishës dhe Ilir Metës, ka pësuar një gol aq të rëndë politikisht sa e ka dërmuar.
Vështirësia e foltoristëve në panelet e darkës për Belerin duket qartë, pasi kjo është një boomerang apo kurth ku nuk dalin më politikisht. E në këtë kurth ka rënë edhe Qirjako Micotaqis, i cili po mundohet të dalë, duke përdorur të gjithë arsenalin politik e diplomatik, por që sharra i ka ngecur në gozhdë. Që u duk fare qartë nga deklarata e Departamentit të Shtetit, apo edhe BE-së.
Sa për djajtë nacionalistë që kanë nxjerrë nga shishja, duket se kryeministri grek ka kryer një “autogol perfekt”, që edhe sikur t’ja ketë përgatitur ndonjë mjeshtër i nivelit të lartë, nuk do të kishte funksionuar aq mirë.