MENU
klinika

Dështon takimi Kosovë-Serbi në Bruksel

Vuçiç: Bisedimet përfunduan pa sukses!

14.09.2023 - 15:07

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka reaguar menjëherë pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Bruksel.

Ai thotë se bisedimet me kryeministrin e Kosovës, përfunduan pa sukses “në kuptimin e gjetjes së një rruge të qartë drejt normalizimit të marrëdhënieve”.

“Ne të gjithë i kemi propozimet tona, shqiptarët i kanë të tyret, ne i kemi tonat. Në fund, ne si Serbi e kemi pranuar propozimin e kompromisit të BE-së. Kurti nuk ka dashur ta pranojë. Takimi ka përfunduar.”, u tha Vuçiç gazetarëve.

Dy udhëheqësit u takuan të enjten në Bruksel, për herë të parë pas më shumë se katër muajsh.

Kurti dhe Vuçiç zhvilluan paraprakisht takime të ndara me ndërmjetësuesit e procesit, shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

“Sot do të shohim nëse ata janë gati të marrin përgjegjësi”, shkroi Borrell më herët si Twitter.

Sipas njoftimit të BE-së, temë e takimit trepalësh ishte zbatimi i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, e arritur gojarisht mes Kurtit dhe Vuçiçit në muajin shkurt.

Nga Kosova është shprehur vazhdimisht përkushtimi për zbatimin e Marrëveshjes Bazë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, sipas propozimit të BE-së.

Për Kosovën, Aneksi për zbatimin e saj duhet të implementohet në mënyrë të balancuar.

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve sipas propozimit të BE-së është arritur në fund të shkurtit, ndërsa për Aneksin e zbatimit të saj palët u dakorduan në mars. Kjo marrëveshje parasheh zgjidhjen e shumë çështjeve të hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por ngeli në plan të dytë, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, në fund të majit.

Kurti dhe Vuçiçi janë takuar për herë të fundit në Bruksel më 2 maj, nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme që janë mbajtur më 23 prill në veri të Kosovës dhe të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe.

Që atëherë midis dy vendeve ka pasur tensione dhe kriza.

Të mërkurën BE-ja është përsëritur thirrja adresuar të dyja palëve që të krijojnë një klimë për vazhdimin e dialogut. Dy vendet, nën ndërmjetësimin e BE-së, janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011. Ndonëse kanë arritur me dhjetëra marrëveshje në fusha të ndryshme, zbatimi i shumicës prej tyre ka ngecur.