MENU
klinika

Në vend të parë në Europë me normën më të lartë

EUROSTAT: 1 në 3 shqiptarë nuk përballon dot ngrohjen

16.09.2023 - 13:57

Sipas një publikimi nga “Agjencia Europiane e Statistikave” Shqipëria ka normën më të lartë në Europë të personave të cilët e kanë të pamundur të mbajnë shtëpinë e tyre ngrohtë. Të dhënat e fundit për vendin tonë i referohen vitit 2020 dhe flasin për 35.8% të shqiptarëve të cilët janë shprehur se e kanë të pamundur të mbajnë shtëpinë e tyre ngrohtë në mënyrë të vazhdueshme.

Mesatarja e Bashkimit Europian për këtë tregues, përgjatë vitit 2020, është regjistruar në 7.5%, ndërkohë që pas Shqipërisë në vend të dytë vjen Bullgaria me 27.5%. Sipas të dhënave të përditësuara në vendet e Bashkimit Europian, për vitin 2022, norma e përsonave të cilët e kanë të pamundur të mbajnë shtëpinë e tyre ngrohtë është rritur në 9.3%.

Duke qenë se Shqipëria është vendi i parë në listë rrjedhimisht norma është më e larta edhe në rajon. Në nivel rajoni, e dyta pas Shqipërisë me normën më të lartë është Maqedonia e Veriut me 23.8%, pasuar nga Mali i Zi me 13.2% dhe Serbia me 9.5%.

Referuar renditjes, ndër vendet me normën më të ulët mund të përmendim Zvicrën me 0.2%, Norvegjinë me 0.8%, Austrinë me 1.5% dhe Finlandën me 1.8%.

Sipas “Institutit të Statistikave” për vitin 2020 mbi 1 në 2 familje në vendin tonë ngrohen me dru zjarri, ndërkohë që kryeqyteti, Durrësi dhe Vlora ngrohen kryesisht me energji elektrike.