MENU
klinika

Analiza

Evropa nuk ka më luksin të jetë e përçarë

03.09.2023 - 07:42

ushtimi i Ukrainës nga presidenti rus Vladimir Putin, e ka zhytur sërish Evropën në kapitujt më të errët të historisë së saj. Kontinenti po përballet aktualisht me makthin e tij më të tmerrshëm:një luftë pushtuese në shkallë të gjerë.

Pas disa dekada paqe dhe stabiliteti relativ, është shfaqur papritmas perspektiva e rishikimit me forcë të kufijve evropianë, dhe e zhdukjes nga harta të shteteve sovrane. Në kushtet kur Rusia ka zgjedhur agresionin në vend të bashkëpunimit paqësor, është gjithnjë e më dukshme se ukrainasit po luftojnë për lirinë e Evropës, por sigurisht edhe për lirinë e tyre.

Historia e ka një mënyrë të sajën për të korrigjuar keqkuptimet dhe iluzionet. Pas shembjes së Murit të Berlinit në vitin 1989, që paralajmëroi fundin e Luftës së Ftohtë, një ndjenjë e re optimizmi e gjallëroi Evropën. Porta e Brandenburgut u rihap, Ushtria e Kuqe u tërhoq nga vendet e Traktatit të Varshavës, dhe u shpërbë Bashkimi Sovjetik.

“Fundi i historisë ” ishte shumë pranë, dhe dukej i arritshëm vizioni utopik i Emanuel Kant mbi “paqen e përhershme ”. Evropianët, sidomos gjermanët, të nxitur nga euforia e
ribashkimit, u kapën deri vonë pas këtij iluzion. Mjerisht, gjërat dolën ndryshe.

Në vend se të arrinte paqen e përhershme, rënia e rendit bipolar të Luftës së Ftohtë, solli lindjen e një bote shumë-polare të dominuar nga fuqi të ndryshme kontinentale dhe nën- kontinentale, dhe e karakterizuar nga rivaliteti në rritje midis dy superfuqive të shekullit XXI:Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës.

Që kur u ngjit në pushtet në vitin 1999, Putin është përpjekur të ndryshojë rezultatin e Luftës së Ftohtë, dhe të rivendosë statusin e Rusisë si një superfuqi botërore, kryesisht përmes mjeteve ushtarake. Për këtë arsye, Rusia e Putinit i ktheu shpinën konsensusit evropian të
pas vitit 1989, dhe ka tentuar t’u rikthehet normave të një epoke të shkuar.

Ndryshimi i peizazhit gjeopolitik gjatë 2 dekadave të fundit, ka përkuar me revolucionin dixhital. Ndërsa SHBA-ja dhe Kina janë në ballë të ndryshimeve teknologjike radikale, Evropa mbetet ende shumë prapa. Duke pasur parasysh dobësitë e saj gjeopolitike, ekonomike dhe të sigurisë, perspektiva për Evropën dukej e zymtë që përpara se të përballej me kërcënimin e ripërtërirë të luftës në territorin e saj.

Duke pasur parasysh kërcënimin që vjen nga ambiciet ekspansioniste të Rusisë, vendet evropiane duhet të bashkëpunojnë midis tyre për të arritur një unitet më të madh politik dhe ushtarak. Megjithatë, pavarësisht leksioneve që na dhanë dy Luftëra Botërore dhe një Lufte
të Ftohtë dhjetëvjeçare, bashkimi i vërtetë evropian dhe sovraniteti i përbashkët mbeten të paarritshme, për shkak të diversitetit gjuhësor dhe kulturor të kontinentit.

Ndërsa vazhdon agresioni ushtarak i Putinit në Ukrainë, joshja nga identiteti kombëtar në Evropë, e tejkalon dukshëm frikën e kërcënimeve të jashtme, qoftë nga Rusia apo nga qasja e re izolacioniste e SHBA-së dhe rivaliteti i rritur me Kinën, në rast se Donald Trump do të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë pas zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.

Megjithatë, derisa të arrijë bashkimin e vërtetë, Evropa nuk do të jetë në gjendje të rifitojë statusin e saj si një fuqi e madhe në botën shumë-polare të shekullit XXI. Në një peizazh global të dominuar nga superfuqitë, Evropa rrezikon të mbetet e varur nga aleanca e saj me
SHBA-në, duke e pozicionuar veten si një partnere e vogël, një vartëse, dhe jo si një entitet realisht sovran.

Por mbetet ende për përgjigje pyetja:A e ka ende Evropa besimin që kërkohet për të luajtur një rol të spikatur në skenën globale? Për t’u ngritur në lartësinë e kësaj sfide, vendet evropiane duhet të kapërcejnë pengesa serioze dhe të forcojnë kapacitetet e tyre politike dhe
ushtarake.

Lufta e Putinit në Ukrainë, shënon një moment vendimtar për rendin global dhe në ndryshim të vazhdueshëm të këtij shekulli, si dhe për pozicionin e Evropës brenda tij. Duke pasur parasysh rreziqet e paraqitura nga një tjetër presidencë e Trump, si dhe nga zhvendosja e
fokusit gjeopolitik të Amerikës drejt Paqësorit, politikë-bërësit evropianë duhet të marrin masa për të siguruar mbijetesën e Evropës, edhe nëse SHBA-ja nuk është më në gjendje ose nuk dëshiron që të shërbejë si një mburojë për kontinentin.

Përndryshe, evropianët mund ta gjejnë veten duke jetuar përherë nën kërcënimin e agresionit rus, dhe duke iu përkulur çdo teke të Kremlinit. Për ta zbutur këtë rrezik, objektivi kryesor i Evropës duhet të jetë forcimi i aftësitë e saj parandaluese ushtarake në tokë, në det dhe në
ajër. Duke pasur parasysh përvojën e Ukrainës, kjo detyrë duhet të ketë përparësi ndaj konsolidimit të financave publike apo prezantimit të programeve të reja sociale. Masat e brendshme, sado të dëshirueshme qofshin, do të duhet të presin për më vonë.

Siguria është vetëm një nga tre sfidat e mëdha strukturore me të cilat përballet aktualisht Evropa. Përveç ringjalljes së tensioneve gjeopolitike dhe rikthimit të luftës në kontinent, ajo duhet të përshtatet edhe me zhvendosjen e përshpejtuar drejt Inteligjencës Artificiale dhe tranzicionit drejt energjisë së pastër.

Përballimi i këtyre sfidave, kërkon masa të guximshme dhe transformuese, të cilat do ta ndryshojnë rrënjësisht botën tonë. Me heterogjenitetin e saj të brendshëm, Evropa nuk ka qenë shpeshherë e gatshme ose ka qenë paaftë të përfshihet në politikën e fuqive të mëdha. Por momenti aktual, ofron një mundësi të papritur dhe të pashembullt për të luajtur një rol me ndikim global. Ndarjet kombëtare, janë një luks të cilin Evropa nuk mund ta përballojë më.

Nga Joschka Fischer “Project Syndicate”