Gjykata e Durrësit ka në dorë të vendosë nëse do t’i japë apo jo leje Fredi Belerit, për të dalë nga burgu që të bëjë betimin si kryebashkiak i Himarës.
Çështja i ka kaluar tashmë Gjykatës së Durrësit, që duhet të caktojë nëse vendimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të mos i dhënë leje Belerit është apo jo i drejtë.
Kujtojmë se lejen për të dalë nga burgu e jep ose refuzon Drejtoria e Burgjeve, dhe në rastin e refuzimit, i burgosuri ka të drejtë ta apelojë në gjykatë, çka e ka bërë tashmë.
Beleri nuk ka mundur të marrë detyrën, pasi autoritetet gjyqësore nuk i dhanë leje për të kryer betimin.
Dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, Beleri u arrestua nën akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhjet apo blerjes së votave.
Një person bashkëpunoi me policinë dhe prokurorinë e Vlorës për dokumentuar faktin e akuzës, ai u pajis me logjistikën e nevojshme, që nga regjistruesi.
I infiltruari arriti të merrte shumën prej 40 mijë lekëve të reja në kërkim të 8 votave në favor të Belerit. Beleri u shpall fitues nga qelia në zgjedhje, por betimi i tij nuk u krye asnjëherë për të marrë detyrën.
Arrestimi i tij ka nxitur reagimin e Athinës e cila kërkon me ngulm lirimin e tij duke deklaruar se arrestimi i tij ka lidhje politike.