Dëshmi të tjera tronditëse janë zbuluar nga i penduarit i drejtësisë, Artan Tafani, i cili me rrëfimin e tij zbuloi 6 vrasje, që kanë si autorë të dyshuar të krimeve, anëtarët e bandës së Laert Haxhisë.
Albi Bashaliu është vrarë për motive gjakmarrje nga grupi i drejtuar nga Laert Haxhiu, që sipas tij u pagua me 50 mijë euro.
Ndërkohë, vëllai i Albi Bashaliut, Leonard Bashaliu akuzohet për vrasjen e Ylber Xhahysës. Duke marrë shkas nga kjo ngjarje, Enriko Xhahysa mori pjesë në krim, por edhe pagoi grupin e Laertit për të vrarë për motive gjakmarrje.
Sakaq, Çajup Selimi është vrarë, sipas të penduarit të drejtësisë pasi kishte një lidhje intime me nënën e një prej të akuzuarve si pjesë e grupit të Laert Haxhisë.
Po ashtu mësohet se Fridman Xhaferraj dyshohet se është vrarë sepse kërcënonte grupin e Haxhiut se do t’i denonconte në polici dhe do të tregonte krimet e tyre.
Nga ana tjetër, pjesë e ngjarjeve të zbardhura janë dhe dy vrasje në Greqi, që thuhet se kanë si motiv trafikun e drogës.