MENU
klinika

Ja çfarë pritet

‘Hakmerret’ Basha, thërret Këshillin Kombëtar dhe ndryshon strukturat drejtuese

05.09.2023 - 19:27

Sipas statutit të miratuar nga Basha, Këshilli Kombëtar: zgjedh me votim të fshehtë dhe shkarkon Sekretarin e Përgjithshëm; Nënkryetarët e Partisë; Kryetarin e Këshillit Kombëtar, Anëtarët e Sekretariatit; Anëtarët e zgjedhur të Kryesisë së Partisë…

Lulzim Basha ka vendosur të hakmerret pas mbledhjes së sotme që u mbajt mes deputetëve krah Berishës dhe atyre që i kanë shkuar pas Gazment Bardhit. Ky i fundit organizoi një takim me qëllim që partia të bashkohet, por të vetmit që nuk morën pjesë ishin deputetët që mbështesin Bashën.

Por ky i fundit ka vendosur gjithashtu të lëvizë gurët. Basha ka njoftuar se të shtunën do të mbledhë Këshillin Kombëtarë të PD dhe aty do të caktohen strukturat drejtuese të partisë. “Të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar. Duke iu uruar për zgjedhjen Tuaj si anëtar të Këshillit Kombëtar në Kuvendin e PD më 2 shtator 2023, iu njoftojmë se mbledhja e Këshillit Kombëtar do të bëhet ditën e shtunë, datë 9 shtator 2023, ora 11:00 për të zgjedhur strukturën drejtuese të Partisë Demokratike. Mbledhja do të mbahet në Hotel Tirana, salla Balsha, kati i dytë”, thuhet në njoftimin e PD.

Por çfarë pritet nga mbledhja? Sipas statutit të miratuar nga Basha, Këshilli Kombëtar: zgjedh me votim të fshehtë dhe shkarkon Sekretarin e Përgjithshëm; Nënkryetarët e Partisë; Kryetarin e Këshillit Kombëtar, Anëtarët e Sekretariatit; Anëtarët e zgjedhur të Kryesisë së Partisë; Kryetarin e Komisionit Zgjedhor, Kryetarin dhe anëtarët e Komisionit të Apelimit si dhe Kryetarin e Bordit Financiar të Partisë. Kryetari dhe anëtarët e Komisionit të Apelimit mund të shkarkohen me propozim të Kryesisë së Partisë dhe miratimin e 2/3 të të gjithë anëtarëve të Këshillit Kombëtar.

Kjo do të thotë se ndoshta Basha mund të bëjë shkarkimin e Gazment Bardhit nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm. Po ashtu do të zgjidhen nënkryetarët e partisë dhe njëri prej tyre do të marrë drejtimin e grupit parlamentar. Priten ndryshime në të gjitha sekretariatet dhe po ashtu në komisionet parlamentare.

Sipas burimeve, Basha do marrë masa ndaj deputetëve që i kanë dalë kundër dhe do kërkojë në Kuvend spostimin e tyre në komisionet parlamentare. Ata që kanë poste drejtuese apo janë nënkryetarë mund të humbasin rolet. Me pak fjalë, në Këshillin Kombëtar të së shtunës, pritet spastrimi nga partia i Bardhit dhe deputetëve që kanë shkuar pas tij.