MENU
klinika

Analiza

Harrohet Prigozhin, ushtarët e Wagner kthehen në Ukrainë

28.09.2023 - 08:26

Grupi Wagner është kthyer për të luftuar në Ukrainë. Pavarësisht zhdukjes së udhëheqësit të tyre Yevgeny Prigozhin, i cili vdiq në një aksident avioni në Rusi më 24 gusht, prania e mercenarëve tani nën urdhrat e Kremlinit u raportua nga ushtria ukrainase në frontin në jug të Bakhmut, në Donbass. Zbulimi vjen nga një ushtar i Kievit i quajtur “Groove” i intervistuar ekskluzivisht nga CNN. “Moska mblodhi trupa nga zonat përreth dhe i solli këtu,” tha ushtari. “Ata nuk kanë më shumë personel, por Wagner është gjithashtu këtu. Ata u kthyen, ndryshuan shpejt komandantët e tyre dhe u kthyen këtu”, shtoi ai. Zëdhënësi i forcave ukrainase në lindje, Ilya Yevlash, i tha gazetës RBC-Ukraine se në frontin lindor kishte disa qindra mercenarë të punësuar.“Në territorin e Grupit Lindor të Forcave ka luftëtarë nga milicia Wagner. Fjala është për rreth 500 persona, pjesë e formimit të rreth 8 mijë mercenarëve që ishin në kampet në Bjellorusi dhe që tani po negociojnë kontratat me Ministrinë”, tha Yevlash. Dislokimi i ushtarëve privatë u konfirmua edhe nga Serhiy Haidai, ish-guvernator ukrainas i rajonit të Luhanskut. Meqenëse kompania private ushtarake mbeti “jetime” nga drejtuesit e saj roli i saj në Rusi ndryshoi, duke nisur nga hierarkia e brendshme e kompanisë. Për shefin e ri, Anton Elizarov i njohur si “Lotus”, iu caktua misioni i mbajtjes gjallë dhe menaxhimit të dhjetëra mijëra milicëve të mbetur, ndonëse disa luftëtarë vendosën masivisht të largoheshin ose të bashkoheshin me ushtrinë. Instituti amerikan për Studimin e Luftës shkroi pak ditë më parë se kthimi i Wagner në fushë, së bashku me trupat ruse do të ketë një ndikim margjinal në aftësinë luftarake.