Qeveria po planifikon një tjetër metodologji për llogaritjen e çmimeve të vlerës së tokës në vend. Ajo do të jetë gati brenda vitit 2025, së bashku me një planveprimi të detajuar për të luftuar korrupsionin në zyrat kadastrale. Planet janë publikuar në dokumentin e Masave Prioritare të Politikave në fushën e shtetit të së drejtës, të nxjerrë për konsultim publik nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. Në dokument përcaktohet se plani i veprimit kundër korrupsionit për Kadastrën miratuar brenda vitit 2025.
“Reduktim i ndjeshëm i rasteve korruptive në shërbimet e lidhura me regjistrimin e pronës brenda vitit 2025”, përcakton një prej masave prioritare.“Vendimi i Këshillit të Ministrave për metodologjinë e llogaritjes së çmimeve të vlerës së tokës dhe për miratimin e hartës së vlerës së tokës në Republikën e Shqipërisë miratuar brenda vitit 2025”, thekson më tej dokumenti, ku zbardhet edhe një tjetër afat që u intereson shumë shqiptarëve dhe ka të bërë me procesin e digjitalizimit të arkivave kadastrale.“Dixhitalizimi i procesit të regjistrimit të pronës ka përfunduar brenda vitit 2030”, përcaktohet në dokumentin e Ministrisë së Drejtësi.
Ndërkohë që edhe kompensimi financiar i pronarëve duket se do të jetë një proces që do zgjatet përtej kufijve aktualë ligjorë. Sigurimi gradual i mbështetjes së duhur financiare për procesin kalimtar të kompensimit të pronave brenda vitit 2030. Por nga ana tjetër, të gjithë proceset kalimtarë të pronësisë duket se do të shtyhen të paktën deri në fund të kësaj dekade. “Progres thelbësor në proceset kalimtare të pronësisë brenda vitit 2030”, përcaktohet në dokumentin e masave prioritare të shtetit të së drejtës, ku parashikohet funksionimi efikas dhe procesi i regjistrimit të pronës bazuar në integritet i siguruar brenda vitit 2030.