Teksa projekti i rehabilitimit të hekurudhës Tiranë-Durrës bashkë me ndërtimin e një zgjatimi në Rinas pritet të përfundojnë vitin e ardhshëm, zbatimi në terren duket se ka hasur jo pak surpriza.
Së pari kjo e lidhur me shpronësimet që krijuan në fillim të procesit vonesa dhe së dyti me gjetjen e zgjidhjeve për komunitetet që jetojnë pranë hekurudhës. Një rast i tillë është ai i një komuniteti familjesh në Vorë, që jeton pranë pjesës ku kalon hekurudha të cilët kanë kërkuar për mundësimin e një kalimi për këmbësorë si dhe gjetjen e një zgjidhjeje për kalimin e automjeteve të tyre.
Kalimi që ata përdornin prej vitesh ishte informal dhe për arsye sigurie do të mbyllet ndërkohë që zgjidhjet që ishin dhënë më herët nuk shiheshin si të përshtatshme nga banorët. Në sistemin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim kërkesa u njoftua në 6 shkurt 2023, ku zyrtarisht një përfaqësues i komunitetit qartësonte ankesën.
“Ne banorët e lagjes “ Xhamia e Re”, përfaqësues të bizneseve dhe përfaqësues të Xhamisë “EBU BAKER”,Rruga Zajza,Njësia Administrative Bërxullë,Bashkia Vorë, ku jetojmë rreth tridhjetë e tetë familje po ju drejtohemi me këtë shkresë pasi lagjja jonë preket nga projekti: “Rehabilitimi i Linjës Hekurudhore Durrës -Tiranë TTP dhe ndërtimi i linjës Hekurudhore në Aeroportin Nënë Tereza”.
Sipas projektit rruga ekzistuese (Kalim në nivel,) në Km:24+600 ku ne kemi akses nga rrruga dytësore për në shtëpitë, xhaminë dhe bizneset tona ,e cila shërben si rrugë kalimi për të gjithë llojet e automjeteve , do të mbyllet” thuhet në shkresën ku kërkohet zgjidhje.
Më pas duket se të gjitha palët janë ulur në tryezë përfshi këtu kërkuesit, qeverinë si dhe bankën që është edhe mbështetësja me financim. Në një dokument paraprak të hartuar në fund të qershorit është rënë dakord që të bëhen disa përshtatje apo ndryshime për të lehtësuar kalimin në këtë pikë.
Gjatë takimeve nga ana e Hekurudhës Shqiptare është sqaruar se mbyllja e kalimit informal që përdorej nga banorët më parë është e nevojshme pasi hekurudha do të rrethohet dhe trenat do të lëvizin me shpejtësi të lartë.
“Klienti shpjegoi se kalimi informal që përdoret prej vitesh nga komuniteti do të duhet të mbyllet pasi hekurudha do të rrethohet plotësisht. Klienti shpjegoi se trenat e vjetër do të zëvendësohen nga trena me shpejtësi të lartë (100 km/1h) dhe se ky zëvendësim do të përbëjë rrezik për sigurinë e këmbësorëve dhe automjeteve. Megjithatë, po bëhen përpjekje për gjetjen e zgjidhjeve sa u përket shqetësimeve të komunitetit.
Lidhur me kalimin e këmbësorëve pranë komunitetit, Klienti propozon ndërtimin e një nënkalimi dhe shpjegoi se vendndodhja do të përcaktohet bashkërisht me anëtarët e komunitetit dhe Bashkinë e Vorës. Klienti sqaroi se, për arsye sigurie, nënkalimi do të shërbejë vetëm për këmbësorët.
Sa i përket aksesit të automjeteve, Projekti ka parashikuar një kalim në nivel pak kilometra më tej, por Klienti është duke diskutuar me Bashkinë Vorë për mundësinë e ndërtimit të një rruge lidhëse paralel me hekurudhën, që do të mundësojë aksesin e automjeteve nga kalimi te komuniteti.
Klienti i bëri me dije IPAM-it se fondet për mbulimin e kostove të ndërtimit janë siguruar, por se Bashkia Vorë ka përgjegjësinë e garantimit të së drejtës së kalimit për rrugën lidhëse, veçanërisht nëse do të nevojitet blerje e tokës. Gjithashtu, Klienti shpjegoi se rrugët e zonës janë nën administrimin e bashkisë, prandaj duhet të bashkëpunohet në këtë drejtim” thuhet në dokumentin e bërë publik nga BERZH dhe që bën vlerësimin e rastit.
Sipas një kalendari të publikuar nga banka tashmë jemi në fazën ku do të kemi zgjidhjen konkrete të problemit.
Projekti i hekurudhës Tiranë-Durrës, Tiranë-Rinas
Projekti Tiranë-Rinas-Durrës është i pari për modernizimin e rrjetit tejet të amortizuar hekurudhor në vend sa i takon investimeve të bëra nga qeveria. Në tetor 2020 pas një procesi të gjatë tenderimi u bë edhe shpallja e kompanisë fituese që ishte italiania INC S.P.A . Kjo e fundit do të bëjë rehabilitimin e lidhjes hekurudhore 34.2 km midis dhe qytetit të Durrësit si dhe ndërtimin e rreth 5 kilometrave të linjës së re hekurudhore midis Tiranës dhe Aeroportit të Rinasit.
Gjithsej kostoja totale e projektit është 92.1 milionë euro, nga të cilat 35.5 milionë euro grant mbulohet nga Kuadri i Investimeve i Ballkanit Perëndimor (ËBIF) dhe 36.9 milionë euro është i mbuluar nga kredia e BERZH, ndërsa pjesa e mbetur do financohet nga qeveria shqiptare.
Projekti i rehabilitimit të hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimit të zgjatimit të ri në Rinas është pjesë e Axhendës së Konektivitetit, që synon lidhjen mes rajonit e më gjerë me Europën, dhe në kuadër të Nismës së Berlinit, projektet që kualifikohen mund të tërheqin grante dhe financime nga donatorët.
Fillimisht projekti parashikohej të mbaronte në terminalin e transportit publik në Tiranë (ku është sot terminali i autobusëve). Por, për shkak të humbjes së pasagjerëve me largimin e stacionit të trenit, është vendosur që të zgjaten edhe disa kilometra hekurudhë, në mënyrë që vetëm terminali i pasagjerëve të jetë afër ish-stacionit të vjetër të trenit, rreth 200 metra larg parkimit të sotshëm./Monitor