Gjykata e Vlorës ka lënë në qeli të riun Mato Gllucaj i cili vrau babin e tij duke i vendosur një sasi eksplozivi brenda sobës së gazit.
Gjatë seancës gjyqësore, që u zhvillua me dyer të mbyllura, togat e zeza kanë dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj 23-vjeçarit, pas kërkesës së Prokurorisë.
Në dëshminë në sallën e gjyqit, ai ka mbajtur të njëjtin qëndrim si në deklaratën e dhënë për Policinë, ku ka pretenduar se e kreu krimin pasi babai e dhunonte vazhdimisht dhe e ka nxjerrë disa herë nga shtëpia.
Por, 23-vjeçari nuk ka treguar se ku i ka gjetur sasinë e municioneve që iu gjet në banesë.
Hakmarrja ndaj babait
Mato Gllucaj dyshohet se si shenjë hakmarrje ndaj dhunës së vazhdueshme që i ati ushtronte, planifikoi vrasjen e tij.
23-vjeçari akuzohet se i vendosi një sasi eksplozivi në sobën me gaz dhe shpërthimi i lëndës plasëses ishte fatale për jetën e babait të tij.
Fillimisht u dyshua se ngjarja e ditës së djeshme (1 shtator) ndodhi aksidentalisht nga plasja e sobës së gazit, por u zbulua se gjithçka ishte planifikuar nga i biri.
“23-vjeçari dyshohet se për shkak të dhunës së vazhdueshme që babai ka ushtruar ndaj tij, ka vendosur lëndë plasëse në sobën me gaz, në oborrin e banesës, nga shpërthimi i së cilës humbi jetën 56-vjeçari”, raportoi policia ditën e sotme (2 shtator).
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: mekanizmi elektrik me të cilin është realizuar shpërthimi, 25 granata dore difensive, 37 kallëpe me lëndë plasëse tritol (me peshë 400 gr. secila), 43 kapsolla detonatore, 5 ndezësa granatash, 1 armë zjari pushkë, 1 celular, 2 thika, 310 fishekë luftarakë, 12 krehra për armë zjarri, 2 radio marrëse-dhënëse, kapuça dhe veshje për mbulimin e fytyrës dhe mjete për punime elektrike me ngjitje.