Duke komentuar operacionin “Metamorfoza”, eksperti Ervin Karamuço ka bërë thirrje që Policia e Shtetit duhet të bëjë një punë më serioze, teksa në lupë duhet të jenë bandat e vërteta kriminale, ndërkohë që shembull solli qytetin e Vlorës.
Eksperti ka treguar se në qytetin e Vlorës janë 6 organizata që lëvizin me mjete me xhama të zinj nën hundën e policisë.
“Në Vlorë ka 6 organizata kriminale shumë të rrezikshme ndërkohë që shkohet dhe arrestohet vetëm një organizatë me 2-3 persona. Ata lëvizin në mes të ditës me makina me xhama të zinj në mes të ditës nën hundën e policisë. Kush i shikon ata?”, tha eksperti Karamuço në “Top Talk”.
Kujtojmë se pak ditë më parë njëzet e tre grupe kriminale u shkatërruan në një megaoperacion të zhvilluar në 5 qarqe të ndryshme të vendit, Tiranë, Durrës, Korçë, Vlorë dhe Elbasan kundër shpërndarësve të drogës në shkolla dhe lokale.