Industria jonë e naftës ka kaluar moshën një shekullore, prandaj mund të thuhet se është një industri e maturuar dhe se ka një histori të gjatë dhe po ashtu një perspektivë të sajën që gjithëkush nga ne naftëtarët, duhet të themi mendimin tonë, aq më shumë ne që i kaluam mbi 6 dekada në gjirin e kësaj industrie tepër të komplikuar. Mund të thuhet pa frikë se koha e kësaj industrie me përmasa të rëndësishëme në të gjithë botën, duke filluar nga vitet 1950 e deri më sot, ka qënë periudha e ritmeve të larta të zhvillimit të saj, gjë që ka qënë e kondicionuar nga kërkesat tepër intensive gjithëmon në rritje të shoqërisë njërëzore për këtë produkt fosil.
Edhe në Shqipëri ashtu si në të gjithë botën, ndaj kësaj industrie, nga viti 1919 kur u realizua zbulimi i parë industrial i naftës, e deri më sot, janë adresuar po ashtu, kërkesa gjithmonë në rritje dhe ndonjëherë edhe të pa përballueshme.
Duhet thënë që në fillim, se industria e naftës dhe e gazit ose me një fjalë, industria e hidrokarbureve, është një nga industritë më të vështira dhe më komplekse të aktivitetit të shoqërisë njërëzore, në suazën e të cilës ka shumë probleme të shtruara për zgjidhje dhe si probleme më kryesorë janë: kërkimi, gjetja, shfrytëzimi, trasporti dhe përpunimi i thellë si dhe tregëtimi i hidrokarbureve .
Duke qënë se industria e hidrokarbureve është një industri komplekse, ajo e ka të rëndësishëm dhe të detyrueshëm harmonizimin dhe ndërlidhjet e saj, në kuadrin e këtij kompleksiteti.
Strategji për shktarërrimin e instituteve të hidrokarbureve
Një kompleksitet të tillë mendojmë se industria jonë e hidrokarbureve e siguroi me shumë përpjekje që nga fillimi i saj dhe arriti kulmin në vitin 1990. Mbas këtij viti e deri më sot, u davarit duke e humbur dora dorës këtë kompleksitet të harmonizuar që kish dhe tanimë ka ardhur në një situatë të rëndë tepër kritike për të cilën mendoj të jap disa mendime.
Industria e Hidrokarbureve si industri shumë e komplikuar dhe me risqe shumë të mëdha, që shoqërojnë vendimet e marra për veprim, e ka një nevojë të domosdoshme hedhjen e çdo hapi veprimtarie, të bazuar në një analizë të thellë shkencore dhe me përgjegjësi nga organizma të posaçme siç janë institutet e studimit dhe projektimit e deri tek organet menaxhuese dhe vendimmarrëse të shtetit. Në as një mënyrë nuk mund të neglizhohet dhe të zëvendësohen organizmat shkencore në industrinë e hidrokarbureve me organizma ekzekutive dhe menaxhuese. Mirëpo duke filluar nga viti 1990 e deri ne vitin 2001 ish Institutet e Hidrokarbureve, ai Gjeologjik dhe Teknologjik u shkatërruan pak e nga pak, deri në likuidimin e plot të tyre dhe vendin e tyre e luajnë pa ekspertizë të thellë organizma ekzekutive si Albpetroli, AKBN, Komiteti këshillimor, Minsitria etj .
Duhet thënë se Instituti i Naftës që përmblidhte në vetvete gjithë aktivitetin e industrisë hidrokarbure, si atë gjeologjik dhe teknologjik, u krijua në vitin 1965 në Kuçovë. Më tej, aty nga viti 1970 ky Institut u transferua në Fier dhe u specializua vetëm për gjithë kompleksin gjeologjik të kërkimeve, duke e lënë të dispersuar pjesën teknologjike të tij, e cila edhe me këmbënguljen e autorit të këtij shkrimi, u asamblua në vitin 1983, në kuadrin e Institutit Teknologjik me qendër në Patos. Instituti Teknologjik i naftës dhe gazit përmblodhi në vetvete të gjithë sektorët teknologjikë të studimit dhe projektimit të industrisë së hidrokarbureve, të cilët ishin pjesë shumë të rëndësishëme të Industrisë së hidrokarbureve si projektimin dhe teknologjinë e shpimit të puseve të thellë e shumë të thellë, përpunimin racional të vendburimeve të hidrokarbureve të rinj dhe ata ekzistues, përpunimin e hidrokarbureve në rafineritë disponibël, projektet e trasportit dhe depozitimin të hidrokarbureve, si dhe problemet e prapavijës së kësaj industrie si projekte të rrugëve, bazamenteve, tubacioneve, rezervuareve, kondicionimin e produkteve hidrokarbure etj. Kësisojë industria e hidrokarbureve u vendos tërësisht në baza shkencore, ku pjesa menexheriale dhe ekzekutive e kësaj industrie duke filluar nga baza në qendër, për vendimet që merrte, ishin të propozuara, të argumentura dhe të formuluara nga institutet shkencore të Industrisë së hidrokarbureve. Asnjë vendim apo ekzekutim nga orgnizmat menaxhuese dhe ekzekutive nuk merrej dhe nuk bëhej pa e pasur fillesën dhe vendimin zyrtar tek studimet komplekse dhe me kompetencë të Instituteve të hidrokarbureve.
Pse Industria e Hidrokarbureve duhet të ketë pa tjetër Institutin shkencor të saj
Mendojmë se në kuadrin e ekonomisë së tregut, Industria e Hidrokarbureve duhet të ketë pa tjetër Institutin shkencor të saj me natyrë studimi dhe projektimi, sepse ne kemi njëhistori mbi shekullore të saj, gjë që nuk është gjë tjetër, veçse eksperiencë, kredibilitet dhe krenari e kësaj industrie në ballafaqim me kërkesat për zgjidhje që ka industria jonë e hidrokarbureve, pse jo dhe tregu botëror gjigand i kësaj industrie hidrokarbure. Kësisojë Instituti i hidrokarbureve, duhet konsideruar si një aset që i shërben me kompetencë industrisë tonë të hidrokarbureve që do ekzistojë dhe do zhvillohet dhe në të ardhmen, falë dhe rezervave të zbuluara dhe atyre perspektive të hidrokarbureve që ka vendi ynë në tokë dhe në det.
Po ashtu, nën shembullin e vendeve të tjera, mund të thuhet fare mirë, që këto institute kanë shumë mundësi të futen në tregun edhe boteror të industrisë së hidrokarbureve duke siguruar jo vetëm vetëfinacimin e tyre, por të sigurojnë edhe një ndihmë jo të vogël për buxhetin e shtetit. Këtu është rasti të përmendet se edhe shtetet që kanë pak hidrokarbure, ose nuk kanë fare, në kudrin e interesave që shohin nga këto Institute, duke i përdorur ato si burim fitimi edhe nga puna e tyre ne tregun botëror gjigand të hidrokarbureve, i kanë ngritur me kohë këto institute. Kështu Japonia, që nuk ka hidrokarbure, që në vitin 1958 ka një institurt shumë të madh dhe kompetent për studime dhe projektime në fushën e hidrokarbureve që punon në të gjithë botën. Kur isha në vëndburimin Hasimesaud në Algjeri, në vitin 1978, pashë që projekti që kish hartuar Instituti japonez i hidokarbueve, kish fituar tenderin e përpunimit dhe shfrytëzimit të këtij vendburimi gjigand.
Po kështu Franca, që nuk dallohet për pasuri të madhe hidrokarbure në truallin e saj (pavarsisht se ka ish kolonitë) ka IFP –Institutin Frances të naftës, një nga institutet më të medhenj dhe më ekspert në fushën e hidrokarbureve. Po kështu, ka shumë shtete që kanë institute hidrokarbure që kanë pak naftë dhe histori jo kaq të gjatë sa e kemi ne të kësaj industri.
Ne, mendojmë dhe këmbëngulim të themi se nuk na lejohet që eksperiencën mbi shekullore që kemi, ta lëmë të iki pa produkt për sot por dhe për nesër duke mos e riorganizuar Institutin tonë të hidrokarbureve i cili të përmbledhë në vetvete gjithë elementët kompleks e të nevojshëm që ka industria e Hidrokarbureve. Me sa di, është dhënë një fond për ringritjen e një Instituti nafte që para disa vjetësh, por nuk di se ç’u bë me këtë fond prej 6 milionë dollarësh, dhe pse nuk ekzekutohet për qëllimin që është dhënë dhe sa më shpejt, duke e ngritur Institutin e studimit dhe projektimit të hidrokarbureve.
Ka mendime që ky Institut të ngrihet sa më afër Industrisë së naftës – mundësisht në Patos. Unë mendoj dhe këtë mendim e kam dhënë që në kohën që quhet e monizmit, së ky Institut duhet të jetë në Tiranë, për shumë arsye, por një nga më të rëndësishmet është që vetëm në Tiranë mund të rekrutohen specialitët më të mirë që kemi, si dhe mund të shfrytëzohen edhe më të mirët specialistë të universiteteve të shtetit dhe privat. Ky Institut duhet të karakterizohet nga cilësia dhe jo nga sasia! Këtu mund të merren edhe specialistët tanë më të mirë në fushën e hidrokarbureve, që aktualisht kanë emigruar dhe që kanë punuar dhe punojnë me kompanitë e huaja të profilit hidrokarbur. Problem është se duhet gjetur një trainer i mirë që të krijoi skuadrën (skuadrat) e duhur dhe rezultative në një kohë sa më të shpejtë të jetë e mundur. Mendoj se ky Institut duhet të varet direkt nga Ministria e Energjisë siç varet dhe Instituti japonez i Naftes si dhe Institutet e vendeve të tjera nga Institucionet kryesore te shtetit .
Në vitin rreth 1998 -1999 nga ana e qeverisë së kohës, u mor vendimi i cili e prishi faktikisht kompleksitetin egzistues dhe funksional deri në atë kohë të industrisë hidrokarbure. Industria e hidrokarbureve u copëtua duke ndarë dhe veçuar prodhimin e hidrokarbureve nga përpunimi i thellë i tyre, gjë që mund të krahasohet me ndërprerjen e ujit për një mulli dhe lënien pa punë të tij. Ky mendoj se ishte nje veprim shkatërrues i industrisë tonë të hidrokarbureve, pasojat dëmprurëse të së cilit u dukën qartë deri sa arritën kulmin me lënien e uzinave tona të përpunimit pa lëndën e parë (naftën) , sidomos UPTHN e Ballshit, ndërprerjen e funksionimit të tyre dhe përfundimisht, në shkatërrimin e plotë të tyre.
A do të vazhdojmë ta lemë në dorë të fatit këtë pasuri kombëtare?
Tanimë është konkluduar nga shumë fakte, se industria hidrokarbure e Shqipërisë është lënë në dorë të fatit pa fat. Kuptohet që Ne, që punuam shumë kohë në këtë industri të rëndësishëme për ekonominë e vendit, e dimë dhe e njohim më mirë se kushdo, rëndësinë aktuale dhe perspektive të kësaj industrie që lum ata që e kanë dhe mjerë kjo pasuri në rastet që nuk ka njërzit e saj, që nuk ia dinë vlerën, siç po shofim të ndodh tek ne realisht.
Në kuadrin e kësaj njohje që kanë specialistët e hidrokarbureve për këtë Industri komplekse dhe shumë të rëndësishëme për ekonominë, në datën 12/06/1991 intelektualët e naftës, organizuan një takim, ku si temë kryesore ishte se si duhej trajtuar Industria hidrokarbure në kuadrin e ekonomisë së tregut, kuadër ky që kjo Industri sa po futesh. Aty morën pjesë autoritetet më të larta të shtetit të asaj kohe. Duhet thënë se zëri dhe shqetësimi i naftëtarëve specialistë nuk u dëgjua. U ngrit një kompani publike me emërtimin Albpetrol; kjo ishte një gjë e mirë, por po të analizosh se si u trajtua kjo kompani me kalimin e kohës, dhe vetë performanca e saj e deri tanishme, është për të vënë duart në kokë.
Mendimin se si duhej të operonte kjo kompani në kuadrin e ekonomisë së tregut e kam dhënë edhe më parë, por dhe së fundi në gazetën DITA datë 7/09/2023. Shkurtimisht po e përsëris: Kjo kompani, duhet të marrë në dorë menaxhimin teknik dhe ekonomik të industrisë së Naftës dhe ashtu si kompanitë e tjera të vendeve të tjera, duhet të dalë në tregun botëror të industrise naftës duke u vetëfinancuar si dhe duke mbështetur gjithmonë e më shumë ekonominë shqiptare. Po e përsëris atë që kam thënë disa herë se: kompania INA Naftaplinë e Kroacisë, mbajti gjithë barrën e luftës që bëri Kroacia me Serbinë. Kësisoj është më se e qartë rëndësia shumë e madhe që kanë kompanitë e naftës për një shtet.
Si të dalim nga ky ngërç?
Pse mos të thuhet që Institutin e naftës, Albpetroli ta ketë pikë mbështetjeje në veprimet e tij për të rritur efektivitetin e kontributit të pasurisë hidrokarbure që kemi në truallin tonë dhe në akuariumin tonë si dhe ta ketë si bazë për t’u mbeshtetur në veprimet e tij në tregun botëror të hidrokarbureve. Teksa Instituti i Naftës të jetë truri i Industrisë së naftës, Albpetroli duhet të konsiderohet si baza e shfrytëzimit të pasurive tona hidrokarbure të zbuluara dhe që do zbulohen me efektivitet sa më të lartë të mundshëm. Kemi zbuluar deri tani rreth 500 milionë tonë rezerva gjeologjike nafte dhe pothuaj edhe 400 miliardë normal m3 rezerva gjeologjike gazi. Kemi akoma shumë pa zbuluar, madje mendoj, akoma më shumë. Shqipëria e ka treguar me fakte se ka pasur ekspertizë të plotë në kërkimin dhe zbulimin dhe në të gjithë ciklin e kësaj Industrie të naftës dhe gazit.
Gjatë kohës nga viti 1960 e deri në vitin 1990, Industria shqiptare e naftës dhe e gazit, ka qënë plotësisht në dorë të specialistëve shqiptarë dhe treguesit e kësaj periudhe janë më superiorët gjatë mbi 100 vjetëve të historisë së Industrisë së Naftës si në prodhimin total të naftës dhe gazit, në gjetjen e rezervave të reja të naftës dhëe gazit, në gjetjen edhe vënien në shfrytëzim të vëndburimeve të naftës dhe gazit etj. Duhet thënë se Shqipëria e menaxhonte industrinë e naftës dhe gazit kur niveli ekonomik i saj ishte jo shumë i mjaftueshëm për të financuar këtë industri të rëndë, por do kuptuar se nafta dhe gazi është një pasuri që qarkullon shumë shpejt dhe nuk e njeh stokun, prandaj kjo industri gjeneron gjithmonë dhe shpejt mjete finaciare të cilat shërbejnë për investime të reja me qëllim që të gjenerohen fitime të reja. Nafta ka nje dinamikë shumë të madhe të mjeteve financiare. Prandaj frika dhe argumentet se nuk kemi këllqe për të zhvilluar industrinë e naftës ne si ekonomi shqiptare, është shume e dëmshëme dhe pa baza konkrete. Nafta po i dhe është e sigurtë se do t’i japë ato që i dhe, me shumëfishin që ia jep –kjo tashmë është vërtetuar katërcipërisht. Shtrova pyetjen në një emision televiziv se si nuk i paska Shqipëria 7 miliardë USD për të vënë në punë vëndburimin e Sqepurit (Shpiragut). Një ekonomist në këtë panel tha se kjo shifër zë një pjesë të madhe të buxhetit vjetor të shtetit të Shqipërisë. Unë e pyeta , po sa do fitojë Shqipëria në se investon këtë shumë në këtë biznes shumë fitimprurës të cilën edhe mund të marrë edhe kredi? Nuk mu dha as një përgjigje. Ekonomistët tanë me sa shoh, nuk i kanë të qarta prioritetet e investimit dhe interesin e tyre në vlerë dhe në kohë në Industrinë hidrokarbure .
Albpetroli duhet të punojë për vetëfincimet e nevojave të tij si dhe ajo që ka rëndësi edhe për të mbështetur dhe nevojat e shtetit për zhvillim të sigurtë të mëtejshëm. Ai mund të bëjë shërbime në fushën e studimeve komplekse gjeologjike dhe gjeofizike vetë, duke investuar në këtë fushë (duke blerë aparaturat e nevojshme), apo dhe duke pajtuar kompani të specializuara që ka bota. Po ashtu Shqipëria ka deksperiencë në fushën e shpimeve të çdo natyre (vertikale dhe horizontale) dhe çdo thellësie (të paktën deri në 6000-7000m), në fushën e teknologjisë së shpimit, duke bërë shërbime me nivel të lartë ekspertize për lëngun larës – gjakun e teknologjisë së shpimit, për çimentimet, për testimet e puseve etj në fushën e përpunimit të vendburimeve të naftës, gazit dhe gazokondesatit, duke hartuar projekte e shfrytëzimit racional të vendburimeve të rinj dhe të zbuluar, mund të realizojë punime intensifikuese, të sipërmarrë projekte në fushën e transportit dhe depozitimit të hidrokarbureve etj. Albpetroli duhet të këte pikat e shitjes së karburanteve në Shqipëri dhe në vende të tjera, sidomos në Kosovë etj. Kjo sigurisht lidhet dhe me problemin e rafinimit të hidrokarbureve dhe prodhimin e nënproduktevetë naftës dhe të gazit. Po për këtë do flas më poshtë.
Rafinimi i naftës dhe gazit është një domen shumë i rëndesishëm i industrisë hidrokarbure. Të kesh prodhime nafte dhe gazi dhe të mos kesh industri përpunimi të tyre për të siguruar vlerën e shtuar të tyre, është një nonsens që nuk duhet lejuar. Fatkeqësisht këtu në Shqipëri këto 3 dekadat e fundit u lejua një boshllëk i thellë në rafinimin e naftës dhe jemi detyruar të themi se duhet të shkurtohet në maksimum kjo kohë e këtij boshllëku. Që të kuptohet rëndësia e industrise së rafinimit, mund të rithemi dy shëmbuj nga vëndet fqinje që kemi.
Greqia ka një prodhim vjetor të naftës rreth 800 mijë tonë dhe ka një kapacitet përpunimi rreth 30 milionë tonë në vit; ndërsa Italia, ka një prodhim nafte rreth 8.8 milion tonë në vit dhe ka kapacitete përpunimi reth 130 milionë tonë. Nga këto shëmbuj duhet kuptuar se sa rëndësi ka zhvillimi si i tillë i industrisë së përpunimit të hidrokarbureve, i cili siguron vlerën e shtuar të këtyre produkteve që kthehet në fitime jo të pakta për investitorët, por dhe për vendin. Në bazë të kësaj praktike, mund të rekomandojmë që në Shqipëri të ngrihet një industri përpunuese për hidrokarburet me kapacite vjetore paraprak 3.5-4 milionë tonë (duke u mbështetur kryesisht në prodhimin tonë si dhe në importin e naftës si lëndë e parë) dhe më tej të rritet kapaciteti përpunues në thellësi dhe gjërësi sipas kërkesave të tregut. Kuptohet që shtetet që kanë kapacitete përpunimi më shumë se tregu i tyre i brendshëm dhe që i kemi fqinj, nuk do iu pëlqejë kjo se dëmtohen, madje do mundohen të pengojnë këto arritje! Megjithatë, secili të shofi interesat e tij! Ne jemi në buzë të një tregu lubi hidrokarburesh dhe duhet ta kuptojmë mirë këtë avantazh dhe për këtë duhet të punojmë.
Në kuadrin e lidhjeve që ka industria jonë e hidrokarburev me ambientin, të japim mendime edhe në këtë fushë të rëndësishme. Këtu kemi shumë probleme të trashëguara, sidomos me stoqet e hidrokarbureve në depozitat e Bankers Petroleum-Patos Marinzë, por dhe në të gjithë fushat naftëmbajtëse të vendit.
Unë do përqëndrohem në ruajtjen e ujërave tona detare në pikëpamjen e ndotjes si dhe mos cenimin e pasurive bregdetare që shërbejnë për ndërtime turistike nga kjo industri e cila konsiderohet me potenciale ndotëse.
Kam pasur një keqardhje të madhe se si Porto Romano, një hapësirë me rëndësi të veçantë turistike, u caktua si park industrial sidomos për depozitimin e naftës dhe nënprodukteve të saj dhe si pasojë, u ndërtuan rezervuare nafte dhe për nënnproduktet e saj si gazi të lëngshëm, benzinë, gazoil etj.etj. Kjo zonë për mendimin tim, ka një vlerë të jashtëzakonshëme për turizmin shqiptar. Për këtë arsye, mendoj dhe propozoj që gjithë aktiviteti i kësaj zone të transferohet në Dumre –Elbasan, ku atje të ndërtohen rezervuarë nëntokësorë në formacionet hallogjenike (kripore etj) të kësaj zone, duke liruar kështu një pasuri shumë të madhe për Shqipërinë, që është sipërfaqja pranë detare e Porto Romanos. Në këtë kuadër, ne kemi ekspertizën e duhur edhe në bashkëpunim me një kompani gjermane shumë të specilaizuar – KBB, të ndërtojmë rezervuarë nëntokësorë në përmasa të ndryshme për depozitimin e naftës së papërpunuar, gazit të thatë apo të lëngshëm, nënprodukteve të naftës, gazet serë si CO2 etj . Ky propozim mendojmë se ka vlera shumë të mëdha ekologjike, turistike dhe ekonomike si dhe ka vlera që kanë të bëjnë më rritjen e shkallës së sigurisë së ruajtjes së produkteve hidrokarbure që janë lëndë strategjike.
Ndërtimi i rezervuarëve nëntokësorë, është një praktikë e njohur në tërë botën po ashtu dhe në Europë. Fakti që Shqipëria ka formacione potente kripe (pusi Dumre -7 p.sh , përshkoi një potencë kripe nga thellësia reth 500 m, deri në thellësinë 6119 m) , del me leverdi që këto depozita të ndërtohen pikërisht në Dumre dhe për produktet që do të magazinohen, për marrjen dhe dërgimin e tyre në destinacione portuale detare, të ndërtohen tubacione nga portet përkatëse ekzistuese, deri tek rezervuarët nëntokësorë. Këta rezervuarë shërbejnë edhe për të rezervuar hidrokarbure të importuara si dhe për eksportimiin e tyre. Këta rezervuarë mund dhe duhet të jenë si kompensatorë dhe rregullues furniture të gazit për gazsjellsat që kalojnë (TAP) dhe do kalojnë në vëndin ton sot dhe për të ardhmen e afërt dhe të largët, kur të futet në prodhim të plotë Shpiragu (Sqepuri), Delvina dhe vendburime të tjerë gazmbajtës.
Në mënyrë që ndërtimi i tubacioneve mos të mbart me vete problemet që lidhen me pronarët e tokave, mendojmë që të gjithë tubacionet nga portet detare ekzistuese të kalojnë nëpër det dhe në shtratin e lumit të Shkumbinit apo dhe lumenjve të tjerë që kanë afërsi me Dumrenë.
Ka një mentalitet në Shqipëri, me sa kemi dëgjuar, se rafineritë dhe objektet e hidrokarbureve duhet të ndërtohen pranë vijës bregdetare. Ky mendim ishte dhe në adresë të ish Uzinës së përpunimit të thellë të naftës Ballesh. Mendoj se këto mendime rezultojnë në dëmtime të rënda ekologjike të bregdetit dhe në uljen në maksimun të të ardhurave financiare nga turizmi detar. Dihet që produktet që kanë lidhje me hidrokarburet mund të trasportohen me mijëra kilometra larg burimit të tyre dhe jo më në distanca të tilla saç ishte UPTHN e Ballshit apo rezervuarët nëntokësorë që propozohen të ndërtohen në Dumre me portet detare që kemi.
Një projekt i tillë do i dhurojë Shqipërisë një sipërfaqe shumë të madhe dhe me vlerë për ta përdorur për qëllime turistike siç është sipërfaqa që zë aktualisht zona industriale e Porto Romanos si dhe do rrisi sigurinë e depozitimeve të produkteve petrolifere që kanë rreziqe që njihen, në lidhje me zjarrin dhe ndotjen e ambientit. Ne e kemi të qartë dhe jemi në gjendje që të bëjmë një projekt konkret në kuadrin e këtij propozimi.
Nga praktika mbarëbotërore dihet se ndërtimi i rezervuarëve nëntokësorë janë shumë komod edhe në minimizimin e zaptimit të sipërfaqeve të tokës duke e transferuar hapësirën që zënë këta rezervuarë mbi sipërfaqen e tokës, nën tokë gjë që dhe këtu ata dhurojnë sipërfaqe toke që mund të përdoret për qëllime të tjera. Po ashtu rezervuarët nëntokësorë janë edhe objekte të sigurisë së lartë në rast lufte.
Duhet vënë në dukje se vetë studimet e kryera deri tani në territorin tokësor dhe në hapësirën detare që ka Shqipëria, kanë treguar se vendi ynë është vend me potenciale të mëdha naftë dhe gaz mbajtjeje. Kjo është një pasuri që nuk mohon dhe skualifikon pasuritë e tjera jo të pakta që kemi, por i mbeshtet ato për një zhvillim të mëtejshëm dhe modern.
Industria jonë e hidrokarbureve mendoj me bindje se i ka potencialet e plota që të reabilitohet dhe të kurojë shpejt dëmet që iu bënë në këtë periudhë 30 vjeçare trazincioni. Një gjë e tillë kërkon përqendrim, marrjen e masave të nevojshme në një kohë mundësisht sa më të shkurtër që të vihet njëherë e mirë në rrugë të mbarë duke i shërbyer në maksimumin e mundshëm Shqipërisë. /Dita