Si gjithmonë, faktet dhe këtë rast shifrat, qartësojnë më mirë se çdo fjalë një ngjarje. Sali Berisha besoi se do t’i fitonte zgjedhjet në Kukës, të ripërsëritura pas dorëheqjes së turpshme të kryebashkiakut socialist Safet Gjici, duke bërë aleancë edhe këtë herë me Ilir Metën. Të dielën u votua dhe kandidati i Sali Berishës humbi përsëri. Berisha e bëri të njëjtën provë me 14 maj, por edhe atë herë humbi. Por krahasimi mes dy rezultateve nuk konfirmon vetëm përmasën e dy humbjeve, njëra pas tjetrës, por tregon se si Berisha në më pak se 4 muaj, arriti të përgjysmojë mbështetësit e tij.
Me 14 maj koalicioni Bashkë Fitojmë, i çiftit humbës Berisha – Meta mori 9.592 vota kundër 11.632 votat e mbledhura nga Gjici që në fakt fitoi. Të dielën 24 shtator, i njëjti koalicion humbës Berisha-Meta, mblodhi vetëm 7.429 vota, kundër 13.026 votave të marra nga kandidati socialist. Diferenca mes Berishës dhe socialistëve u thellua në 4 muaj nga 2.040 vota, në 5.597. Në mes të rrebeshit të kësaj disfate zgjedhore të disatë, jo vetëm që Berisha humbi vota, por socialistë për shkak të tij, i shtuan. Nëse do të votohej pas gjashtë muajve, humnera e diferencës do të ishte akoma e më e madhe.
Në asnjë nga dy votimet e Kukësit Partia Demokratike e Lulzim Bashës nuk luajti asnjë rol, as në favor dhe as kundër Berishës. Thjesht nuk mori pjesë në garë. Dhe kjo tregon një herë e përgjithmonë që nga 2013 deri më sot, ka qenë gjithnjë dhe vetëm Sali Berisha shkaktar i humbjes së opozitës, jo Lulzim Basha. Ndoshta faji i Bashës ka qenë ai i mosmobilizimit të njerëzve për të thithur zgjedhës të rinj. Ndërsa faji shumë më i rëndë i Berishës është ai i largimit edhe të zgjedhësve të vjetër që besonin tek ai.
Sot Berisha mbledh rreth vetes një numër militantësh fanatikë, që muaj pas muaji bëhet gjithnjë e më i vogël dhe i papërfillshëm, ndërsa zgjedhësit tradicionalë të djathtë e kanë braktisur prej kohësh deri edhe në ato zona që ishin kështjellat e tij. Rënia e bastioneve nisi kohë më parë në Durrës, pastaj në Dibër, e më pas në Lezhë pasuar nga Shkodra, Tropoja dhe tani Kukësi. Një dallgë që duke ecur përpara tregon katastrofën e pakorrigjueshme që ky gënjeshtar i vjetër i ka shkaktuar opozitës. Gënjështrat e tij të përsëritura si refren në çdo dalje publike, jo vetëm që nuk bindin më askënd dhe janë bërë objekt barcaletash, por shkaktojnë mes ish-zgjedhësve të tij përshtirosjen që tregohet jo më me jo-votën, por deri dhe me një votë kundër.
Sali Berisha ka mbaruar prej vitesh politikisht, por këmbëngulja e tij për të qëndruar në skenën politike, siç shihet, vazhdon të shkaktojë akoma dëme. Fakti që rreth tij kanë mbetur ende disa deputetë që janë gati të sakrifikojnë karrierën e tyre politike vetëm e vetëm për ta mbështetur, bën të mendosh se kanceri ka depërtuar shumë më thellë nga sa mendohet. Fakti që as skandalet që përfshijnë socialistët nuk arrijnë ta mundin pushtetin e tyre, tregon se Berisha dhe shërbëtorët e tij, konsiderohen më keq se çdo e keqe tjetër.