Konfirmimi për takimin e ri mes Kurtit e Vuçiqit erdhi pas bisedimeve intensive që i dërguari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak zhvilloi gjatë javës së shkuar me kryeministrin Kurti e presidentin Vuçiç.
kurti vucic1Pas një periudhe tensionesh në veri dhe përplasjes në distancë me një retorikë të ashpër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç do të takohen me 14 shtator në Bruksel nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Takimin e ka konfirmuar kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, dhe i dërguari i tij për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Ecejake diplomatike të të ngarkuarit të BE
Javën e kaluar, Lajçak takoi ndaras dy udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë dhe tha se “dy liderëve ua ka rikujtuar se gjitha marrëveshjet e dialogut janë valide dhe se ato duhen zbatuar plotësisht dhe pa vonesa”.
“Në Bled, unë kisha takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ne biseduam për përgatitjet për takimin e radhës të nivelit të lartë në shtator, me përqendrim te normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i deklaratës së BE-së të 3 qershorit. Po ashtu kam ngritur shqetësimin rreth situatës në veri të Kosovës”, shkroi Lajçak në facebook.
Nga Bledi, Lajçak udhëtoi për në Beograd, ku takoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Kemi biseduar në detaje për përpjekjet për ulje të tensioneve dhe mbajtje të zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, si dhe zbatimin e gjitha marrëveshjeve të dialogut. Ua kam kujtuar të dy liderëve se të gjitha marrëveshjet e dialogut mbesin valide dhe detyruese për të dyja palët dhe duhet zbatuar plotësisht dhe pa kushte apo vonesa”, shkoi Lajçak, pas takimit me Vuçiç.
BE kërkon hapa të tjerë nga Kosova për shtensionimin e situatës
Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç, për herë të fundit janë takuar katër muaj më parë, më 2 maj, vetëm pak kohë pas mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, zgjedhje këto të cilat janë bojkotuar nga serbët lokal.
Në muajin qershor, Bashkimi Evropian kërkoi uljen e tensioneve me kërkesë të qartë; pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka njoftuar se tashmë ka përgjysmuar praninë e njësive të policisë në ndërtesat komunale në veri dhe është pajtuar për organizimin e zgjedhjeve të reja. Në këtë rrethanë të re, qeveria kërkon që Bashkimi Evropian të heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës të cilat u vendosën, sipas BE, në “mungesë të koordinimit dhe sjellje jo evropiane lidhur me zhvillimet në veri. Bashkimi Evropian ka thënë se veprimet e fundit të qeverisë në drejtim të shtensionimit të situatës në veri, janë hapa të rëndësishëm në drejtimin e duhur, por, nevojiten hapa të tjerë për të zbutur krizën në veri me zgjedhjet e parakohshme që duhet të mbahen sa më shpejt. /DW