MENU
klinika

Investime në mbarë botën

Lindja e Mesme, sërish “bankomati” i planetit

16.09.2023 - 14:05

E etur për të ngritur profilin e saj global dhe për të përmirësuar marrëdhëniet e saj me Perëndimin, të cilat u ndërprenë në vitin 2018 pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi, Arabia Saudite po kthehet në financuesin e ri të botës. Po kështu janë monarkitë e tjera të Gjirit që mbartin para nga një ‘boom’ i të ardhurave nga energjia, në një kohë kur financuesit tradicionalë perëndimorë, të gjymtuar nga rritja e normave të interesit, po tërhiqen nga marrëveshjet dhe investimet private.

Fondet sovrane të pasurisë së rajonit po kthehen sërish në “Eldorado” për fondet e kapitalit privat që luftojnë për të mbledhur para. Kompanitë dhe fondet e mbikëqyrura nga këshilltari për sigurinë kombëtare të Abu Dhabit, Sheikh Tahnoun bin Zayed al Nahyan, kanë lëvizur për të blerë Standard Chartered dhe bankën e investimeve Lazard. Ata kanë arritur gjithashtu marrëveshje për të blerë një kompani britanike të kujdesit shëndetësor me vlerë 1.2 miliardë dollarë si dhe për të marrë kontrollin e pjesshëm të një gjiganti ushqimor kolumbian për gati 6 miliardë dollarë.

Menaxherët e fondeve që vizitojnë rajonin thonë se ata shpesh presin matanë rrugës nga rivalët në dhomat e pritjes së fondeve sovrane të pasurisë. Drejtuesit e Silicon Valley dhe Nju Jorkut janë një prani pothuajse e vazhdueshme në hollin e mermerit të bardhë të Hotelit ‘Four Seasons’ në Abu Dhabi, ashtu siç janë në hotelet e tjera më të mira.

Forumi i investimeve dhe financave i Princit të Kurorës së Arabisë Saudite Mohammed bin Salman i Iniciativës së Ardhshme të Investimeve në Riad muajin e ardhshëm do të jetë një magnet për investitorët këtë vit. “Davosi i shkretëtirës”, siç quhet, pret që të marrë 15 mijë dollarë për çdo person për të marrë pjesë. Në vitin 2018, pasi vrasja e Khashoggi e ktheu mbretërinë prodhuese të naftës në një vend toksik për të bërë biznes, zyrtarët sauditë panë një eksod masiv të drejtuesve financiarë amerikanë. Në vitet që pasuan, shumë startup dhe fonde shmangën investimin në vend.

Që nga viti i kaluar, kur burimet e tjera të financimit filluan të bien, Arabia Saudite është bërë më e kërkuar. Në fondin e pasurisë sovrane të Arabisë Saudite – PIF, angazhimet për “titujt e investueshëm” – një kategori që përfshin kapitalin privat – u rritën në 56 miliardë dollarë në vitin 2022, nga 33 miliardë dollarë një vit më parë. Mubadala i Abu Dhabit tha se angazhimet e kapitalit u dyfishuan në 18 miliardë dollarë në 2022.

Grumbullimi i fondeve është bërë shumë më i vështirë në 12 muajt e fundit, thonë analistët. Dhe në këtë klimë arsyeja e bumit të financimit dhe marrëveshjeve në Lindjen e Mesme është e dyfishtë. Çmimet më të larta të energjisë – për shkak të pushtimit rus të Ukrainës – u kanë dhënë fondeve të investimeve të rajonit të varura nga nafta dhe gazi dhjetëra miliarda dollarë shtesë për të shpenzuar. Në të njëjtën kohë, princi saudit Mohammed dhe zyrtarët e lartë në Emiratet e Bashkuara Arabe po konkurrojnë për më shumë ndikim në skenën botërore – nga gjeopolitika dhe ekonomia te sporti – duke derdhur para shtesë në arkat e tyre për të nënshkruar marrëveshje dhe për të zgjeruar industrinë në vend.