MENU
klinika

U përfol se nënkryetari i partisë u përfshi në sulm

Lista Serbe mban tri ditë zi për terroristët e vrarë në Banjskë

26.09.2023 - 11:01

Lista Serbe, partia më e madhe e minoritetit serb në Kosovë, ka bërë të ditur se ka shpallur tre ditë zie në komunat e Kosovës të banuara me shumicë serbe, për shkak të vrasjes së tre terroristëve që sulmuan me armë zjarri Policinë e Kosovës.

Kujtojmë se para dy ditësh një efektiv i Policisë së Kosovës u vra nga grupi i terroristëve serbë, ndërsa një tjetër u plagos.

Po ashtu ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla u shpreh se nënkryetari i kësaj partie, Milan Radoiçiç, kishte lidhje me sulmin terrorist që ndodhi.

Njoftimi për mbajtjen e zisë në këto komuna u bë përmes një postimi në Facebook nga Lista Serbe.

“Datat 26, 27 dhe 28 shtator shpallen ditë zie në komunat me shumicë serbe për shkak të vdekjes së qytetarëve tonë në ngjarjen tragjike në Banjskë”, thuhet në njoftimin e tyre.