MENU
klinika

Sot afati i fundit

Lulzim Basha bojkoton zgjedhjet e Kukësit, refuzon të garojë përballë Berishës dhe Metës

08.09.2023 - 20:23

Dega e PD në Kukës ka njoftuar se nuk do të dalë me kandidat në zgjedhjet e 24 shtatorit…

Lulzim Basha duket se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 24 shtatorit në Kukës. Sot është afati i fundit për regjistrimin në zgjedhje dhe pas shumë orësh e dilemash, grupi i Bashës ka vendosur të mos marrë pjesë, duke ja ngecur topin Berishës.

PD e Kukësit doli fillimisht me një deklaratë të gjatë, duke njoftuar se ata nuk do të dalin me kandidat. Mirëpo deklarata u fshi, ndërsa personat pranë Bashës shpreheshin se negociatat po vijojnë për të gjetur një emër përballë Foltores dhe PS. Por dega e PD në Kukës ka reaguar sërish pak më parë dhe njofton se ata nuk do të dalin me kandidat dhe do të fokusohen te riorganizmi i partisë.

Partia Demokratike Dega Kukës, duke ndjekur me përgjegjësi të lartë politike dhe morale situatën e krijuar në Kukës, pas diskutimeve dhe konsultimeve me anëtarët dhe strukturat drejtuese të Partisë Demokratike Dega Kukës; duke vlerësuar se interesi i demokratëve dhe i të gjithë qytetarëve të Kukësit që duan ndryshim është rrëzimi i qeverisë, në kushtet e kohës së shkurtër dhe të pamjaftueshme për të riorganizuar degën e partisë pas pasojave tepër negative të frymës së konfliktit të ndezur padrejtësisht mes demokratëve, gjykojmë se tani është koha që së pari të fokusohemi te ringritja e degës së Partisë Demokratike, krijimi i alternativës që presin qytetarët e Kukësit dhe në betejën për rrëzimin e kësaj qeverive, që po i varfëron çdo ditë e më shumë shqiptarët.

Për këtë arsye, ne nuk do të propozojmë kandidat për zgjedhjet për Bashkinë e Kukësit. 

Partia Demokratike Dega Kukës qëndron fuqimisht në mbrojtje të interesave të kuksianëve, në mbështetje të tyre. Kuksianët meritojnë një alternativë që do t’u shërbejë atyre dhe jo gara të paracaktuara nga oligarkët në kurriz të demokratëve”, njofton PD e Kukësit.

Vlen të theksojmë se tani në garë mbeten Emri Vata i koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe Albert Halilaj i Partisë Socialiste. Me këtë manovër Basha duket se i ngec topin Berishës. Nëse ky i fundit humbet në Kukës atëherë e sigurt është që do sulmohet nga Basha se nuk sjell fitore. Ndërkohë nëse ai fiton, atëherë pozitat e Bashës rëndohen.