Qymyr, krom, bujqësi, fason e së fundmi Call Center. Pas më shumë se 30 vitesh tranzicion, ekonomia shqiptare po rezulton e paaftë për të përmirësuar e aq më pak për të ndryshuar veten. Rritja ekonomike po bazohet kryesisht te sektorë sezonalë, ndërsa arka e shtetit po mbushet kryesisht nga shtrenjtimi i çmimeve dhe kontributet nga pagat.
“Ne ndodhemi para sfidave strukturore në ekonominë shqiptare, nëse deri më tani kemi qenë te prodhimi dhe eksporti i pasurive natyrore, do duhet që me patjetër të shkojmë tek ekonomia që prodhon me në qendër kapitalin njerëzor”, shprehet Arben Malaj, ish-ministër i Financave dhe Ekonomisë.
Ndërkohë kriza sot po e rrezikon edhe progresin e bërë në drejtim të shtresës së mesme. Çmimet e shtrenjtuara të ushqimeve, karburantet e papërballueshme, metri katror i një apartamenti i dyfishuar në pak vite, interesat e kredive që sa vijnë dhe rriten, si dhe kostoja e jetesës në tërësi po bëhen barriera.
Për ish-ministrin e Financave, Arben Malaj, pikërisht te shtresa e mesme do duhet të përqendrohen edhe reformat.
“Po të shikojmë zhvillimin e vendeve aziatike si Kina apo Japonia, e kanë vendosur zhvillimin e vendeve të tyre te shtresa e mesme. Kjo pasi ajo është motori që vë në qarkullim ekonominë duke mos menduar vetëm të kursejë, por edhe të shpenzojë.”
Në një kohë që shtetet e tjera po përpiqen të gjejnë modele të reja zhvillimi, Shqipëria po sheh pak përpjekje për t’u larguar nga modeli i prapambetur e joproduktiv ekonomik, për të shkuar tek ai i përparuar që prodhon me në thelb individin. Kjo për ish-ministri Malaj do të arrihet nëse arrihen këto objektiva:
“Cilësia a arsimit dhe shëndetësisë dhe sidomos mbrojtja sociale. Veçanërisht reduktimi i papunësisë me qëllim që kushdo jeton në Shqipëri të mund të jetojë në mënyrë dinjitoze.”