MENU
klinika

"6 të vrarët janë turq jo shqiptarë"

Masakra në Athinë, mediat greke ndryshojnë version

12.09.2023 - 09:58

Mediat greke janë futur në kaos për ngjarjen që ndodhi pasditen e djeshme në Loutsa në zonën e Artemisës në lindje të Athinës. Në fillim u raportua gjerësisht se viktimat e gjetura në një makinë tip Ford me targa gjermane ishin shqiptarë.

Më pas u fol se ishin bullgarë, ndërsa tani Kathimerini, një nga mediat më serioze në vend shkruan se të vrarët janë me kombësi turke. Mediat helene që u referohen hetimeve nga policia shkruajnë se ata mbanin karta identiteti franceze.

Kjo ka bërë edhe më të vështirë identifikimin e viktimave. Autoritetet kanë kërkuar kryerjen e një analize ADN-je ndërsa po punohet edhe me gjurmët e gishtërinjve. Edhe targat gjermane të makinës së viktimave dyshohet se janë të falsifikuara. Hetuesit janë duke punuar për identifikimin e autorëve që besohet se janë larguar me një motor dhe një automjet Ford të zi.

Policia që në momentin e parë foli për “larje hesapesh” mes bandave kriminale. Madje, pretendohet se anëtarët e asaj që konsiderohet si “mafia e burgjeve” e përbërë nga shqiptarë dhe rumunë kanë pasur mosmarrëveshje për afera të paligjshme (drogë, zhvatje, etj.). Për këtë kanë organizuar një takim sqarues ose një pritë për rivalët e tyre.

Sipas të dhënave të mbledhura nga vendi i krimit, viktimat kanë qenë të paarmatosur. Autorët kanë hequr sende nga automjeti i viktimave, por nuk dihet se çfarë ka qenë. Autorët kanë qëlluar më shumë se 20-25 herë në drejtim të 6 pasagjerëve të mjetit me pistoletë 9 mm.

5 nga viktimat u gjetën brenda në makinë ndërsa shoferi ishte jashtë saj. Policia greke është duke punuar me homologët gjermanë dhe Interpolin. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:30 dhe policia u njoftua nga banorët e zonës që dëgjuan krismat.

Një prej banorëve të zonës, i cili ishte i pari që lajmëroi autoritetet, bëri të ditur se fillimisht kishte dëgjuar të shtëna dhe më pas rreth 100 deri në 150 të shtëna të tjera.

Ndërkohë që një tjetër dëshmitar shtoi: Dola jashtë, shkova për të parë saktësisht se çfarë po ndodhte dhe ajo që pashë ishte vërtet e tmerrshme. Katër persona brenda makinës kishin vdekur dhe dy të tjerë ishin jashtë.

Mediat greke thonë se ngjarja ka ndodhur për shkak të larjes së hesapeve mes bandave rivale, dhe nuk përjashtohet që zanafilla e konfliktit të ketë nisur brenda burgjeve.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN