MENU
klinika

Balla: Forcojmë Kodin Penal

Mbyllje të bizneseve që shesin alkool pranë shkollave

05.09.2023 - 14:04

Forcim të Kodit Penal për personat që trafikojnë lëndë narkotike pranë shkollave, por edhe për ata që kapen me armë pa leje.

Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, që starton më 11 shtator, ministri i Brendshëm Tauland Balla ka paralajmëruar nga Durrësi dyfishimin e dënimeve në Kodin Penal për të garantuar mbarëvajtjen e procesit mësimor brenda perimetrit të sigurisë në shkolla.

“Ne synojmë të dyfishojmë dënimet penale në ngarkim të gjithkujt që përfshihet në shpërndarje, dhe shitje lëndësh narkotike pranë shkollave. Këtë praktikë të re do ta ndjekim edhe në vepra të tjera penale. Një person që do të kapet me armë pa leje, qoftë kjo armë zjarri apo armë e ftohtë brenda perimetrit të sigurisë, ne do të propozojmë edhe për këtë rast dyfishim të dënimit”,– tha ministri Balla.
Një rëndësi të veçantë strukturat e Policisë së Shtetit dhe inspektorët e AKU-së do t’i kushtojnë bizneseve që ushtrojnë aktivitetin pranë godinave arsimore për të frenuar fenomenin e konsumimit të pijeve alkoolike nga moshat e reja. Sipas ministrit Balla, nëse do të konstatohen raste të tilla, masat do të jenë drastike.
“Duhet ta kuptojnë të gjitha njësitë e shërbimit, që ndodhen pranë shkollave, që nëse larg qoftë për ta përfshihen në veprimtari kriminale në dëm të shëndetit të fëmijëve, në dëm të interesit publik, duhet ta kuptojnë që njësitë e tyre do të mbyllen përfundimisht dhe nuk do të hapen më asnjëherë”,- deklaroi ministri i brendshëm.

Problematika e rindërtimit dhe riparimit të objekteve arsimore të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, do të jetë prezente edhe këtë vit të ri shkollor në Durrës.
Ende ka shkolla në proces ndërtimi. Gjatë vizitës së tij në shkollën artistike “Jan Kukuzeli”, ministri i brendshëm Taulant Balla shoqërohej edhe nga kryetarja e Bashkisë Durrës Emirjana Sako.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Balla takim me drejtuesit e Policisë së Korçës

“100 banesat e para do t’u jepen familjeve të reja të policëve”