MENU
klinika

Shiten të gjitha biletat e Kombëtares

‘Me ju, ne jemi 12!’ Poloninë e pret ‘ferri’ në Tiranë

04.09.2023 - 12:54

Afro 19 mijë zemra do rrahin kuqezi në “Air Albania” mbrëmjen e 10 shtatorit dhe miliona të tjera në mbarë botën, ditën kur Kombëtarja do përballet kundër Polonisë për kualifikueset e Euro 2024 në grupin E. Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se janë shitur të gjitha biletat për këtë duel, teksa stadiumi në Tiranë do jetë në kapacitet maksimal.

Me 22 mijë ulëse, një pjesë e vendeve janë edhe për tifozët miq nga Polonia, që në disa raste kanë treguar se janë të dhunshëm në transferta. Duket se në FSHF i druhen një klime të tensionuar mes tifozëve, teksa bëhet thirrje që kuqezinjtë në tribuna të mbështesin ekipin.

“Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të falënderojë të gjithë tifozët shqiptarë që kanë vendosur të jenë të pranishëm në stadiumin ‘Air Albania’ më 10 shtator, në mbështetje të ekipit tonë kombëtar dhe i fton të krijojnë një atmosferë të ngrohtë, pozitive dhe të tregojnë respekt ndaj ekipit kundërshtar”, bën me dije institucioni i futbollit në vend.

Nga precedentët e mëparshëm mes dy kombëtareve, sfida e fundit në “Air Albania” foli për Poloninë 0-1, teksa tifozët e këtyre të fundit u përplasën me policinë dhe hodhën sende të forta kundrejt tifozëve shqiptarë.

Fakt është se mbrëmjen e 10 shtatorit në “Air Albania”, duke nisur nga ora 20:45 mijëra tifozë do jenë në mbështjetje të Kombëtares, të veshur me ngjyrat kuqezi.