MENU
klinika

"Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në…!"

Ministrat e Jashtëm të BE më 26-27 shtator ‘zbarkojnë’ në Shkup

23.09.2023 - 20:22

Më datë 26 dhe 27 shtator në Shkup të Maqedonisë së Veriut do të zhvillohet një takim i rëndësishëm mes ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian dhe homologëve të tyre nga Ballkani Perëndimor.

Ky takim dy ditor në vendin fqinj, i iniciuar nga Spanja si drejtuese e Presidencës së Këshillit të BE, do të fokusohet tek zhvillimet e fundit politike në rajon, të cilat lidhen në mënyrë të drejtpërdrejt me procesin e integrimit të vendeve ballkanike në bashkësinë europiane.

Kujtojmë që pak ditë më parë, Presidenti i Këshillit Evropian Sharls Mishel sugjeroi që vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor dhe BE-ja duhet të jenë gati për zgjerim deri në vitin 2030.

Pikërisht ky afat i ri kohor që shkaktoi jo pak polemika mes zyrtarëve të lartë të BE-së, të cilët argumentojnë që procesi i zgjerimit duhet të bazohet në merita dhe jo përcaktime kohore, pritet të përfshijë në diskutim serioz si dhe përgatitje për një plan të mirëfilltë progresi politik për vendet të cilët aderojnë si dhe mbështetje nga vendet anëtare.

Burime nga ministria e jashtme bëjnë të ditur se ende nuk u ka mbërritur një ftesë për pjesëmarrje në këtë takim.

Bashkëpunimi me Ballkanin perëndimor, integrimi në BE dhe përballimi i sfidave të përbashkëta dhe forcimi ekonomik, ndër të tjera pritet të jenë në fokus të diskutimit në procesin e Berlinit që do të mbahet në Tiranë më 16 tetor.

Që nga koha kur Ukraina u sulmua nga forcat ushtarake Ruse, BE ka kaluar sfida të vështira dhe plane konkrete veprimi për zgjerim dhe unifikim, përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Së fundmi, Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Komisioneri për zgjerim Josef Borell, deklaroi për mediat ndërkombëtare se Migrimi mund të jetë një forcë shpërbërëse për Bashkimin Evropian për shkak të dallimeve të thella kulturore midis vendeve evropiane dhe paaftësisë së tyre afatgjatë për të arritur një politikë të përbashkët.