MENU
klinika

82 mijë euro të padeklaruara

Ndalohet një autobus në Shkodër, arrestohen dy persona

29.09.2023 - 14:41

Dy persona janë arrestuar në Shkodër, ku i janë gjetur një shumë parash e padeklaruar. Personat me inicialet R.A 36 vjeç dhe S.F 54 vjeç, pronari dhe drejtuesit mjetit janë shoqëruar nga policia për përfshirjen në transportin e paligjshëm të parave.

Sipas hetimeve janë sekuestruar 82 mijë euro,ku 48 mijë euro rezultojnë të një 35-vjeçari të arrestuar. Lekët e konfiskuara nga policia dyshohet se përdoreshin për llogari kriminale. Në hetim të lirë për këtë çështje janë dhe dy persona. Polica vijon punën për veprime te mëtejshme.

NJOFTIMI I POLICISË

PKK Muriqan/Kontrolle intensive ndaj shtetasve dhe mjeteve, për të gjurmuar dhe goditur tentativat për të futur/nxjerrë nga vendi ynë, para me burim krimin. Finalizohet operacioni policor i koduar “Directions”. Sekuestrohen 82 010 euro. Operacioni, rezultat i vigjilencës së shtuar të shërbimeve të DVKM Shkodër, për të ushtruar kontrolle të imtësishme në një autobus ku në muajin shkurt të këtij viti, Policia gjeti 48 100 euro të cilat një 35-vjeçar i arrestuar, tentonte t’i nxirrte nga vendi ynë, pa i deklaruar. Vihen në pranga 2 shtetas (pronari dhe drejtuesi i autobusit) dhe procedohen penalisht 2 të tjerë (drejtues alternativë të autobusit).

Krahas angazhimit maksimal për t’iu ofruar shërbim korrekt, me etikë dhe të shpejtë, qytetarëve në hyrje/dalje, shërbimet e Policisë Kufitare të Muriqanit vijojnë intensivisht punën, për konstatimin dhe goditjen e krimeve kufitare. Në këtë kuadër, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Shkodrës, u finalizua operacioni policor i koduar “Directions”. Si rezultat i operacionit u vunë në pranga shtetasit R. A., 36 vjeç, banues në Shijak dhe S. F., 54 vjeç, banues në Elbasan, si dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. C., 53 vjeç, banues në Elbasan dhe K. M., 56 vjeç, banues në Mamurras. Shërbimet e Policisë Kufitare, në hyrje të vendit, ushtruan kontrolle të imtësishme, në vijë të dytë, në autobusin në pronësi të 36-vjeçarit (me drejtues shtetasin S. F. dhe me drejtues alternativë shtetasit A. C. dhe K. M.). Nga kontrollet, në një çantë të fshehur në kroskotin e autobusit, u gjetën 82 010 euro, të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale, të cilat do të futeshin në vendin tonë, pa u deklaruar. Paratë u sekuestruan me cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.