Startoi këtë të hënë (17 shtator) regjistrimi i popullsisë dhe i banesave, proces i cili pritet të zgjasë gjashtë javë dhe vetëm pas nëntë muajsh do të mund të shohim rezultatet.
Në një financim prej 4.8 milionë eurosh në grante nga Bashkimi Europian për mbarëvajtjen e këtij censi, janë mobilizuar 7500 anketues që do të trokasin në ditët në vijim në banesat e çdo shqiptari për të mbledhur të dhënat e tyre.
Këtë vit do të mësojmë numrin e saktë se sa shtetas shqiptarë dhe jo vetëm jetojnë brenda territorit të Shqipërisë, sa meshkuj e sa femra, sa të arsimuar dhe jo, si dhe informacione të tjera. Ditën e parë të kësaj jave, mbi 7 mijë e 500 persona të trajnuar kanë dalë në terren për të grumbulluar të dhëna të detajuara derë më derë.
DETAJET E PYETESORIT
Qytetarët do të duhet të plotësojnë një formular ku kërkohet informacion i detajuar, i cili duhet të plotësohet me korrektësi. Ata do të kontaktohen në telefon për të rakorduar një takim me grupet regjistruese. I gjithë procesi i Censit do të kryhet në mënyrë dixhitale përmes një tableti. Shqiptarja.com publikon pyetësorin, të cilit do t’i nënshtrohen qytetarët.
Pyetësorët janë me tetë module dhe 100 pyetje. Regjistrimi do të ofrojë të dhëna për popullsinë rezidente, mbi karakteristikat demografike, sociale, të dhëna për strehimin, shëndetësinë, punësimin e të tjera.
“Etniciteti, Gjuha, feja”, janë tre pyetjet e vetme të formularit që nuk janë të detyrueshme për t’u përgjigjur. Gjithashtu, Censi i vitit 2023 nuk do të kërkojë: shumat e të ardhurave të NJEF; numrat e llogarisë së bankës ose kartës së kreditit; para ose dhurime; çdo gjë që ka të bëjë me partitë politike.
Regjistrimi do të ofrojë të dhëna për popullsinë rezidente, mbi karakteristikat demografike, sociale, të dhëna për strehimin, shëndetësinë, punësimin e të tjera. Pyetësorët janë me tetë module dhe 100 pyetje. Procesi i grumbullimit të dhënave zgjat një muaj e gjysmë. Për herë të parë të dhënat do të grumbullohen në mënyrë digjitale, çka do të lehtësojë dhe përshpejtojë procesin e përpunimit të tyre.
Ky është censi i 12-të që bëhet në vendin tonë dhe si proces përsëritet një herë në 10 vjet. Për këtë cens nuk do të përdoret sistemi i adresave i ministrisë së Brendshme, pasi do të ketë deklarim nga qytetarët për adresën e tyre aktuale, dhe më pas do të përditësohet informacioni në sistemin kryesor të adresave.
PENALITETET
Është detyra qytetare e çdo personi të marrë pjesë në Cens. “Pas të gjitha përpjekjeve që stafi do bëjë për të ndërgjegjësuar qytetarët që të japin përgjigje, do bëjmë me dije se gjithë akt i Censiut është një akt që mbështetet mbi një bazë ligjore. Është e detyrueshme përgjigjja, për pyetje që janë të detyrueshme. Ka penalitet konform ligjit. Për të gjithë familjen. Nëse verifikohet që është gënjyer patjetër që kemi politika që do ndjekim procesin e raportimit”, deklaroi drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli në një deklaratë për mediat ditën e djeshme ku deri në mesditë ishin plotësuar 800 pyetësorë.
Sipas ligjit, çdo person, i cili në periudhën që do të kryhet Censi është banor i zakonshëm brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, është i detyruar të sigurojë informacionin e kërkuar në pyetësorët e Censit, në një mënyrë të plotë, të saktë dhe të besueshme. Përjashtimet e vetme janë pyetjet në lidhje me identitetin etnik, fenë dhe gjuhën, për të cilat mund të zgjidhni opsionin “Preferoni të mos përgjigjeni”.
Qytetari që nuk i përgjigjet pyetësorit ka penalitete, por vetëm nëse janë bërë të gjitha përpjekjet nga ana e stafit të INSTAT. Nëse pas tri vizitave nuk do të pranohet t’u përgjigjet pyetjeve dhe nuk u hapet dera anketuesve, parashikohen penalitete për ata që nuk pranojnë të japin përgjigje, apo që japin përgjigje të rreme. Anketuesit që do të trokasin derë më derë dhe do të jenë me shenja dalluese të zyrtarizuara dhe do të jenë të njohura nga qytetarët.
Në rastet kur familjari nuk gjendet në banesë stafi është i trajnuar të vizitojë familjen deri në 3 herë. Pas vizitës së parë anketuesi do të lërë një shënim në derën e familjarit ku do të informojë për vizitën e tij. Do të përsëritet dhe herën e dytë dhe herën e tretë anketuesi do të lërë numrin e tij të telefonit dhe do i kërkojë familjarit ose të vijë pranë zyrave të censit që janë të ngritura në të gjithë territorin e Shqipërisë, ose të lërë një orar në mënyrën që anketuesi të shkojë në orarin që ai gjendet në banesë.
Anketuesi do të drejtohet në banesë të paktën 3 herë në kohë të ndryshme. Pyetësori ka një modul ku pyeten anëtarët e familjes nëse kanë anëtarë që jetojnë jashtë. Merret informacion kur është larguar, shteti ku është larguar dhe arsyeja pse. Në pyetësor është një modul që i referohet dhe vizitorëve që mund të ndodhen pranë familjeve tona në ditën e censit apo të gjithë anëtarëve të familjeve që gjatë periudhës së 2 censeve kanë lëvizur jashtë vendit. Në pyetësor duhet të përfshihet cilindo që është banor i zakonshëm në Njësinë Ekonomike Familjare (NJEF) që po numërohet.
Këtu mbahen parasysh anëtarët e NJEF, shokët e dhomës, fëmijët kujdestarë dhe miqtë që zakonisht banojnë aty të cilët ndajnë një ekonomi pjesërisht ose plotësisht të përbashkët. Duhet të përfshijë gjithashtu njerëz që, për shembull, janë përkohësisht në spital ose jashtë vendit për një periudhë më pak se 12 muaj, por që normalisht jetojnë me ju. Duhet të renditen gjithashtu personat që vizituan këtë njësi familjare gjatë natës së Censit dhe ishanëtarët e NJEF të cilët u zhvendosën jashtë vendit në dhjetë vitet e fundit.
Për qëllimet e Censit, “shtëpia” e një studenti është vendi ku ai/ajo jeton ndërsa ndjek universitetin. Nëse studentët nuk jetojnë në shtëpinë e prindërve të tyre shumicën e kohës, vendi i duhur për t’u numëruar është në qytetin ose vendin ku jetojnë ndërsa ndjekin universitetin. Refuzimi për të dhënë informacionin e kërkuar ose dhënia e informacionit të rremë, sipas nenit 5 të këtij ligji, me gjobë nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë (Sipas faximiles përbri shkrimit).