MENU
klinika

Heqje patente ata që tejkalojnë shpejtësinë!

‘Paketa e Sigurisë në shkolla’, Balla: Njoftimi i gjobës do t’u çohet në kohë reale!

07.09.2023 - 12:50

Kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga nisja e sezonit të ri të mësimit në shkollat publike, ministri i Brendshëm, Taulant Balla dhe krybashkiaku Erion Veliaj prezantuan ditën e sotme ‘Paketën e Sigurisë’ në shkolla.

Kjo paketë duket se do të përshijë masa të rrepta, si nga ana e sigurisë rrugore, brenda në mjediset e shkollës, sigurisë ushqimore, apo edhe atë në lidhje me alkoolin, duhanin, apo substanca të tjera të dëmshme për fëmijët.

Në fjalën e tij, ministri i Brendshëm theksoi se po punohet për Kodin e Ri Rrugor, i cili do të parashikojë uljen e shpejtësisë pranë shkollave. Për çdo shkelje, ai paralajmëroi se mund të ndëshkohet edhe me heqje të patentës, në një të ardhme.

“Do t’i kërkojmë bashkive që të marrin masat e nevojshme për vendosjen e gjithë niveleve të sigurisë, sinjalistikës rrugore, semaforëve të nevojshme, brenda perimetrit të sigurisë. Do të kemi mundësi që në të gjitha rrugët e shkollave të vendosim një cilësi tjetër të kamerave të cilësisë, ku do të përfshihen edhe sensorët.

Do të vendosim aparaturat që të cilat në mënyrë automatike vlerësojnë zhurmën dhe përmes sistemit të kamerave regjistrojnë dhe targën. Ne shumë shpejt do të arrijmë që çdo lloj gjobe, penaliteti, qytetari të njoftohet në celularin e tij, sapo ajo ndodh. Në frymën e Kodit Rrugor, nëse qytetari e shlyen gjobën brenda 15 ditëve do të përfitojë heqjen e gjysmës së gjobës. Na ka rezultuar shumë efektive kjo gjë, nxit qytetarët ta shlyejnë vetë.

Jam shumë i sigurte që edhe opozita do na mbështesë, si do rikthehemi në Kuvend për të bërë edhe ndryshime të tjera të Kodit Rrugor, në mënyrë që çdo shkelje që ndodh pranë rrugicave të shkollës, ne të paktën të dyfishojmë të gjitha penalitete, por mendoj se duhet të shkojmë në heqje patente për këdo që tejkalon shpejtësinë pranë shkollave. Dhe nuk do të ketë asnjë lloj falje.”

Balla u ndal edhe tek siguria ushqimore, ku paralajmëroi se do të kontrollohet çdo vend i cili shet ushqim për fëmijët, në mënyrë që të garantohet cilësia e tyre.

“Sa i përket sigurisë ushqimore, kanë nisur kontrollet në gjithë vendit. Kjo do të jetë sistematike, e përditshme, e përjavshme, në mënyrë që t’i vijmë në ndihmë AKU-së për cilësinë e ushqimeve që u shiten fëmijëve.”

Kontrolleve sipas ministrit, nuk do t’u shpëtojnë as lokalet pranë shkollave, të cilat mund, t’ju shesin fëmijëve alkool.

“Inspektorati shtetëror shëndetësor, duhet të bëjë detyrën dhe të kontrollojë të gjitha lokalet pranë shkollave, të cilat duhet të kenë tabelën, ku ndalohet shitja e alkoolit tek personat nën 18 vjeç. Kjo dënohet me gjobë deri në 10 mijë lekë.”

Ndërsa sa i përket sigurisë urbane, ai kërkoi një bashkëpunim korrekt midis Policisë Bashkiake dhe asaj të Shtetit.

“Sa i përket sigurisë urbane, dua që komunikimi mes Policisë Bashkiake dhe asaj të Shtetit të jetë më mirë i koordinuar. Në Tiranë jam shumë i sigurtë, se Paketa e Sigurisë do të bëjë shumë diferencë pozitive dhe të madhe.”