Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar drejt Brukselit. Ajo pritet që të zhvillojë një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Pritet që takimi mes Osmanit dhe Stoltenberg të mbahet ditën e e enjte në orën 14:00. Pas përfundimit të takimit bëhet me dije se do të mbajnë një konferencë të përbashkët për mediet.
Presidenca ka njoftuar se gjatë vizitës zyrtare në NATO, Osmani do të ketë takim edhe me kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiralin Rob Bauer si dhe do të realizojë takime me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në NATO, Julianne Smith, dhe me përfaqësues të shteteve të tjera aleate.
“Përgjatë vizitës, Presidentja Osmani do të riafirmojë vendosmërinë e popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për avancimin e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, duke filluar me programin e Partneritetit për Paqe, forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit me aleatë, në veçanti për çështje të sigurisë, mirënjohjen e popullit të Kosovës për rolin dhe kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, si dhe përkushtimin për kontribut të përbashkët për paqe, stabilitet dhe siguri afatgjate në rajonin tonë”, thuhet në njoftimin en bërë nga Presidenca.
Ndërkohë, kujtojmë se ditën e hënë Osmani vizitoi Shqipërinë ku dhe zhvilloi një sërë takimesh. Fillimisht ajo u takua me kreun e shtetit Bajram Begaj, më pas me kryeministrin Edi Rama si dhe me kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla.
Gjatë ditës së dytë të vizitës së saj Osmani udhëtoi drejt Beratit ku dhe takoi kryebashkiakun Ervin Demo i cili i dorëzoi titullin e lartë “Patron i Kalasë”. Gjithashtu, presidentja takoi edhe kryebashkiaken e Durrësit, Emiriana Sako.