MENU
klinika

Artur Ajazi

PD, një parti për muze

04.09.2023 - 12:21

Partia Demokratike, sot gjendet në ditët më të vështira të saj. Diskutohet ekzistenca e saj, diskutohet mbijetesa e saj përmes emrave që e kanë marrë atë seriozisht peng, dhe nuk ka shanse ta lëshojnë. Qindra apo dhe disa mijëra demokratë sot, janë në udhëkryq. Ti besojnë Bashës që mbledh kuvendet e tij, ti besojnë Berishës që mban fort selinë, ti besojnë Bardhit apo Alibeajt.

Dhe ajo që ndodh në realitet, mbetet braktisja masive që ish-anëtarët dhe mbështetësit i bëjnë çdo dit asaj force politike. Shkurt, Partia Demokratike është aktualisht një parti-muze. Atje mund të shkosh edhe si vizitor i zakonshëm, dhe mund të njihesh nga afër me ish-liderin, ish-ministrat, ish-drejtorët, por edhe me milionerët e majmur me para ish-pushteti.

Atje do të gjesh fotot e Berishës ngado, në korridore, zyra, celularë servilësh, etj. Por nuk mund të takosh asnjë prej gjeneratës së re. Edhe ata të FRPD, janë kthyer në ciceronë të ish-liderit suprem, dhe as që mendojnë për fatin e asaj partie. E katandisë partinë në “dyqan me qera”. Nga njëra anë Berisha deklaron se “selinë, flamurin dhe partinë nuk e lëshojmë deri në frymën e fundit”.

Nga ana tjetër kemi Bashën, që e ka bërë vajtje-ardhje kryetarllëkun, dhe zgjidhet edhe kryetar partie, edhe kryetar grupi parlamentar, edhe negociator, edhe brigadier. Ai i do të gjitha, a thua se partinë e ka trashëgim nga stërgjyshi. Loja e turpshme me atë parti, pasojë ka lënien e vendit pa një opozitë të përgjegjshme. Skenari dhe përrlata e Berishës se “Basha është pengu i Ramës”, bie ndesh me deklaratat që ata shkëmbejnë gjithmonë kur ka kuvende dhe “pragrevolucione”. Të dy, apo të tre bashkë me Gaz Bardhin, po deklarojnë se “do ta hedhin nga pushteti Edi Ramën”. Qesharake dhe tragjikomike.

Një parti fantazëm, e strukur diku në ish-SHQUP apo në godina hotelesh, pretendon se “do të vijmë shumë shpejt në pushtet”. Parti Demokratike, u sakrifikua me dashje, ndaj dhe ndjehen komodë tre “kryetarët” e saj për sistemimin e asaj force politike në muze. Mbeten të mbushen stendat me fotot e ish-liderit, ish-armiqve, ish-ministrave dhe atyre që sot çirren ekraneve se “na dhimbset PD sepse e kemi ngritur dhe e kemi mbrojtur me këto duar”.

Kam bindjen se shumë shpejt, ndoshta punë muajsh, PD do të fshihet fare edhe nga memorja e atyre që deri dje, mbushnin bulevardin për të protestuar për “idealin” e ish-liderit. Zgjimi nga letargjia e militantëve të asaj partie ka nisur tashmë. Shpresa e vetme për tre “kryetarët” e saj, mbetet mbajtja me gajret e ofiqarëve që rrinë zyrave, dhe luten që kjo situatë të zgjasë me dekada, mjafton të marrin “bakshishet” e tyre.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN